Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka njoftuar se mbrëmë është shënuar një ngritje e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër, e cila ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet pranë tre rrokaqiejve në Mitrovicë.
Sipas Mujkës, shkaku kryesor i kësaj rritjeje ka qenë sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës, pas reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e sipërme të lumit. Situatën e ka rënduar edhe rrëshqitja e kanalit në Zubin Potok, që ka detyruar lirimin emergjent të ujit të tepërt drejt lumit Ibër.
“Jemi detyruar të kalkulojmë dëmin më të vogël, edhe pse edhe ai nuk është për t’u nënçmuar. Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë,” ka deklaruar Mujka, duke sqaruar se bëhet fjalë për një situatë natyrore, jo për ndonjë neglizhencë njerëzore.
Ai shtoi se ndërhyrjet e ekipeve në terren kanë bërë të mundur stabilizimin e nivelit të ujit brenda një ore, dhe se sot po vazhdohet me sanimin në kanalin kryesor për ta mbajtur nivelin e ujit sa më të kontrolluar.
Mujka apeloi që ky rast të mos shfrytëzohet për qëllime politike apo elektorale, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje krejtësisht operacionale. “Edhe operatori ekonomik ka pjesën e vet të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes,” shtoi ai.

