Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë merret zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Numri dy i qeverisë mbërriti këtë të premte në SPAK, ku prokurori Dritan Prençi i komunikoi akuzën ‘Shkelje e Barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Balluku kishte zgjedhur si mbrojtëse ligjore motrën e saj Pamela Qirko, ish-anëtare e KPK.
Pas rreth 50 minutave brenda ambienteve të SPAK, numri i dy i qeverisë tha se ishte thirrur për një çështje në hetim, por pa detajuar se cila ishte ajo.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj”, tha ajo.
Por, gjithçka u sqarua vetëm disa minuta me pas. SPAK doli me njoftim zyrtar ku sqaroi, se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas njoftimit zyrtar, Balluku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që në gjuhë të thjeshtë do të thotë dyshim për favorizim apo trajtim të pabarabartë të kompanive që marrin pjesë në një tender publik.
Hetimi lidhet me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë. Ky tender është hapur fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas është anuluar dhe rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.
SPAK thotë se, në cilësinë e ministres, Belinda Balluku ka kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi. Për këtë arsye, më 21 tetor 2025, SPAK i ka dërguar asaj njoftimin zyrtar për akuzën. Ministrja ka kërkuar shtyrje të paraqitjes, ndërsa prokuroria e ka ftuar të paraqitet kete te premte, më 31 tetor, në orën 15:00, për t’u njohur me akuzën dhe për të dhënë shpjegimet e saj.
Në njoftimin e tij SPAK saktëson se “deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Një formulim që qartazi lë të kuptojë se Prokuroria e Posaçme po heton dhe tenderë të tjera që përfshijnë Ministrinë e Drejtuar nga Balluku.
Gatë deklarimit në Parlament, kreu I SPAK, Altin Dumani pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake dhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij. Të hënën po për ketë tender janë thirrur për tu komunikuar akuzën edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës mes tyre edhe kreut aktual të ARRSH, Gentian Gjyli. Hetimet e SPAK nisen pas arrestimit e ish-kreut te ARRSH Ervis Berberi në telefonin e të cilit u gjetën komunikime me vlerë për hetimet.
NJOFTIMI I PLOTE I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00

