Abdixhiku nga Suhareka: “LDK-ja do ta rikthejë qytetin në folenë e vet biologjike”

by engel

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar të hënën një takim me qytetarët e Suharekës, ku u shpreh i bindur se partia e tij do të rikthejë këtë komunë nën drejtimin e saj, duke e cilësuar Suharekën si “folenë biologjike” të LDK-së.

I shoqëruar nga kandidati për kryetar të komunës, Ardian Shala, Abdixhiku u prit nga një numër i madh simpatizantësh në sheshin qendror të qytetit, ku prezantoi mesazhin politik të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit.

banner

Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se Suhareka ka qenë historikisht një bastion i LDK-së dhe se qytetarët tashmë kanë vendosur për ndryshim.
“Është e qartë që shumica e qytetarëve të Suharekës kanë nevojë për ndryshim dhe tashmë e kanë shprehur këtë vullnet. Ju bie barra që në këto ditë të fundit të fushatës të mobilizoheni – derë më derë, familje për familje – për ta rikthyer Suharekën në folenë e vet biologjike. Ky qytet është me LDK-në dhe LDK-ja është e gatshme për fitore,” deklaroi Abdixhiku.

Ndërkaq, kandidati për kryetar, Ardian Shala, tha se rezultati i raundit të parë ka treguar qartë se shumica e qytetarëve janë për ndryshim dhe se ky ndryshim do të vuloset në balotazh.
“Rreth 55% e qytetarëve votuan për ndryshim më 12 tetor. Ne jemi të bindur se më 9 nëntor kjo përqindje do të përkthehet në fitore të plotë. Suhareka frymon me LDK-në dhe ne do ta udhëheqim me përgjegjësi, transparencë dhe vizion zhvillimor,” tha Shala.

Ai shtoi se programi i LDK-së për Suharekën parashikon investime konkrete në bujqësi, infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik, duke e vendosur qytetarin në qendër të qeverisjes komunale.

Fjalimet e Abdixhikut dhe Shalës u pritën me duartrokitje dhe brohoritje nga përkrahësit, ndërsa drejtuesit e LDK-së u zotuan se më 9 nëntor do të kthejnë “traditën politike dhe zhvillimore” të Suharekës nën drejtimin e kësaj partie.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy