Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur veten si një nga ata që arritën paqen mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur ndërhyrjen e tij në disa konflikte ndërkombëtare. Sipas analistit kroat Zharko Puhovski, mesazhi që Trump ka dhënë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqësin boshnjak Milorad Dodik tregon qartazi stilin e tij “bismarkian”.
“Le të luftojnë, ne do të negociojmë me fituesin”, thotë Puhovski i cili gjithashtu paralajmëron se situata është e pasigurt, raporton Danas
“Kush do të humbasë mund të jetë Vuçiq, por askush nuk di kush do të fitojë. Të gjithë flasin për studentët që protestojnë, por kush janë ata dhe çfarë përfaqësojnë? Askush nuk e di, dhe kjo është shumë e rrezikshme”.
Analisti vlerëson gjithashtu se tubimi i fundit i fundit në Novi Sad ishte i qetë, jo për mungesë tensioni, por sepse kjo iu konvenonte të gjitha palëve: “Po të donte ndonjë palë të krijonte trazira, do të kishte ndodhur. Por iu konvenonte të gjithëve që të ishte i qetë, dhe kjo e bëri të ndodhte një antiklimaks”.
Një tjetër sfidë e rëndësishme sipas Puhovskit është kontrolli i medieve në Serbi: “Janë vetëm tre media që nuk funksionojnë si makineri propagande e regjimit. Kjo e bën situatën shumë problematike, sepse e pengon zhvillimin e një tranzicioni demokratik të qartë”.
Puhovski paralajmëron se mungesa e transparencës së grupeve protestuese dhe ndikimi i politikës ndërkombëtare krijojnë një situatë të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen politike të Serbisë.

