Autoritetet izraelite kanë arrestuar ish-Avokaten e Përgjithshme të Ushtrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneralmajoren Yifat Tomer-Yerushalmi, në lidhje me hetimet për rrjedhjen e një videoje tronditëse që supozohet të tregojë keqtrajtime ndaj një të arrestuari palestinez në një bazë ushtarake në jug të vendit.
Arrestimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi ajo dha dorëheqjen nga posti, duke marrë “përgjegjësi të plotë” për publikimin e videos, e cila është bërë qendër e një përplasjeje të ashpër politike brenda Izraelit.
Videoja, e transmetuar për herë të parë në gusht 2024, shfaq rezervistë izraelitë në bazën Sde Teiman duke abuzuar fizikisht me një të ndaluar palestinez. Pamjet, të cilat janë cilësuar si “tronditëse dhe alarmuese” nga grupet e të drejtave të njeriut, ndezën debate të forta mbi mënyrën se si trajtohen të burgosurit nga Gaza.
Pesë rezervistë janë akuzuar për keqtrajtim të rëndë, por e kanë mohuar fajin, ndërsa mbështetësit e tyre politikë kanë pretenduar se akuzat janë të motivuara politikisht.
Sipas mediave izraelite, gjeneralmajorja Tomer-Yerushalmi u shpall fillimisht e zhdukur të dielën në mëngjes, duke ngritur shqetësime për një fund tragjik të çështjes. Pas disa orësh kërkimi, policia njoftoi se ajo ishte gjetur “e sigurt dhe me shëndet të mirë” në zonën bregdetare të Herzliyas, por më pas u vendos nën arrest.
Bashkë me të është ndaluar edhe ish-prokurori ushtarak kolonel Matan Solomosh, nën dyshimin për “zbulim të paligjshëm informacioni dhe shkelje të tjera penale”.
Incidenti në Sde Teiman ka thelluar ndarjet mes kampit të djathtë dhe atij të majtë në Izrael. Ndërsa e djathta e konsideron publikimin e videos si tradhti ndaj ushtrisë, e majta e sheh si një akt transparence dhe përgjegjësie institucionale.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka cilësuar ngjarjen si “sulmin më të rëndë ndaj imazhit të Izraelit në dekada”, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se “çdo zyrtar që njollos emrin e ushtrisë nuk mund të mbajë uniformën e saj.”
Hetimet për rrjedhjen e videos dhe keqtrajtimin e të burgosurit pritet të vazhdojnë, teksa opinioni publik izraelit dhe ndërkombëtar kërkon sqarim për shkallën e përgjegjësisë dhe për përfshirjen e institucioneve ushtarake në ngjarjen që ka tronditur vendin.
 
 
 
