Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat, sipas këtij institucioni, përmbajnë “gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj kryetarëve të komunave”.
Në një reagim zyrtar, bordi i AKK-së ka shprehur “keqardhje dhe shqetësim të thellë” për deklaratën e Kurtit, i cili kishte thënë se “nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”. Sipas asociacionit, kjo përbën “jo vetëm një fyerje të drejtpërdrejtë për kryetarët e komunave të zgjedhur me votë të lirë, por edhe një cenim të parimeve të barazisë institucionale dhe të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës”.
AKK thekson se që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021 e deri më sot, asnjë kryetar komune nuk është nën aktakuzë për vjedhje, ndërsa në nivel qendror ka raste të zyrtarëve – përfshirë ministra dhe zëvendësministra – ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.
“Prandaj, përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë padrejtësisht imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale”, thuhet në reagim.
Asociacioni rikujton gjithashtu se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët kanë zgjedhur kryetarë nga të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe nga Vetëvendosje, pa pasur nevojë për balotazh. “Është e arsyeshme të pyetet: a i përfshijnë deklaratat e Kryeministrit edhe këta kryetarë të zgjedhur në raundin e parë, përfshirë edhe ata nga partia e tij?”, pyet AKK.
Në reagim, Asociacioni thekson se ndarja e buxhetit për komunat është e rregulluar me ligj dhe nuk mund të varet nga preferencat politike apo përdorimi elektoral.
Sipas AKK-së, shumë kryetarë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së investimeve kapitale nga niveli qendror, të cilat shpesh bëhen “sipas vendimeve politike dhe kritereve selektive, përfshirë ato partiake dhe etnike”.
Kjo, sipas organizatës, ka krijuar “pabarazi të dukshme mes komunave dhe cenim të parimit të trajtimit të barabartë”.
“Fondet publike janë të qytetarëve dhe ndahen për komunat sipas ligjeve në fuqi, jo sipas preferencave politike apo përkatësive etnike”, thekson AKK, duke shtuar se ato duhet të shpërndahen me “kritere të qarta, të barabarta dhe transparente”.
Në fund të reagimit, AKK bën thirrje për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në mënyrë që të forcohet demokracia lokale dhe të respektohen standardet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësive politike apo etnike”, përfundon reagimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

