I mbijetuari i vetëm i aksidentit ajror të Air India-s: Jam njeriu më me fat në botë, por po vuaj!

by informim peje

I mbijetuari i vetëm i rrëzimit të aeroplanit të Air India, ku humbën jetën 241 persona në bord, pohoi se ndihet si “njeriu më me fat” që është gjallë, por po vuan edhe fizikisht dhe mendërisht. Viswashkumar Ramesh doli i gjallë nga rrënojat e fluturimit me destinacion Londrën në Ahmedabad në skena të jashtëzakonshme që mahnitën botën.

Ai tha se ishte një “mrekulli” që shpëtoi, por tregoi se si kishte humbur gjithçka, pasi vëllai i tij më i vogël Ajay ishte disa vende më larg në fluturim dhe vdiq në rrëzimin e avionit në qershor.

banner

Që kur është kthyer në shtëpinë e tij në Leicester, Ramesh ka luftuar me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), thanë këshilltarët e tij, dhe nuk ka qenë në gjendje të flasë me gruan dhe djalin e tij 4-vjeçar. Avioni Boeing 787 u përfshi nga flakët pak minuta pas ngritjes në qiell në perëndim të Indisë. Pamjet tronditëse të publikuara në atë kohë tregonin Ramesh duke ecur larg vendit të ngjarjes me dëmtime të lehta, ndërsa tymi i zi ngrihej pas tij. Në një intervistë për BBC News, Ramesh, për të cilin gjuha amtare është guxharatishtja, tha me emocione: “Jam i vetmi që mbijetova. Ende nuk mund ta besoj. Është një mrekulli. Humbja e vëllait tim më ka shkatërruar. Ai ishte shtylla ime. Gjatë viteve të fundit, më ka mbështetur në çdo gjë”.

Ai tregoi edhe ndikimin e thellë që ka pasur kjo tragjedi në jetën e tij familjare: “Tani jam vetëm. Rri gjithë ditën në dhomë, pa folur me gruan apo djalin tim. Thjesht dua të jem vetëm në shtëpi”, – u shpreh Ramesh. Nga shtrati i spitalit në Indi, menjëherë pas aksidentit, Vishvashkumar Ramesh kishte treguar se si kishte arritur të çlirohej nga rripi i sigurimit dhe të zvarritej jashtë rrënojave për të shpëtuar jetën. Gjatë trajtimit për plagët e marra, ai ishte takuar edhe me kryeministrin indian, Narendra Modi. Nga 241 personat që ndodheshin në bord, 169 ishin shtetas indianë dhe 52 britanikë, ndërsa 19 persona të tjerë humbën jetën në tokë.

Raporti paraprak i publikuar në korrik nga Byroja e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë zbuloi se furnizimi me karburant i motorëve ishte ndërprerë vetëm pak sekonda pas ngritjes së avionit në ajër. Hetimet vijojnë ende, ndërsa kompania ajrore deklaroi se kujdesi për Ramesh dhe familjet e viktimave “mbetet përparësia jonë absolute”. Kjo është hera e parë që 39-vjeçari flet për median që nga kthimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë intervistës, në dhomën ku ndodhej ai ishin të pranishëm edhe një ekip dokumentari. BBC-ja zhvilloi bisedime të hollësishme me këshilltarët e tij për të siguruar që intervista të zhvillohej në përputhje me kujdesin ndaj gjendjes së tij shëndetësore dhe emocionale. I pyetur për kujtimet nga dita e aksidentit, Ramesh tha me zë të ulët: “Nuk mund të flas për këtë tani”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy