Profesori britanik i historisë në Universitetin e Oxfordit, Jamer Pettifer thotë se po afrohet momenti kur do të hapen shumë arkiva që do të hedhin dritë mbi kohën e luftës në Kosovë.
Ai ka folur për RTS-në, televizionin publik serb, për bombardimin e vitit 1999 dhe planet strategjike të SHBA-së, që kishte ndryshuar qëndrimin për UÇK-në.
“Po afrohemi në periudhën e tridhjetë viteve kur shumica e qeverive, në një masë të caktuar, hapin arkivat zyrtare. Kështu që tani dimë shumë më tepër”, tha ai.
Sipas Pettifer, fushata bombarduese mbi Serbinë ishte “operacion mjaft konfuz”.
“Motivimet ishin të ndërlikuara: pjesë të ndryshme të NATO-s dëshironin rezultate të ndryshme. Dhe në prapaskenë ishte gjithmonë i pranishëm presioni që lufta në Kosovë të shfrytëzohej për rrëzimin e regjimit të Millosheviqit”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, në prapaskenë, sipas tij, “kishin në mendje ndryshimin e regjimit – që lufta në Kosovë mund të shfrytëzohej për destabilizimin e regjimit të Millosheviqit”. Dhe kjo, në masë të madhe, ndodhi, thotë ai.
“Por nuk ishte e shprehur në mënyrë eksplicite. Dhe mendoj se shumica e vendeve europiane anëtare të NATO-s nuk e shihnin ashtu situatën”.
“Ato thjesht donin që lufta të përfundonte. Mbi të gjitha, vende si Italia dhe Greqia, të cilat janë afër Serbisë dhe Kosovës, nuk dëshironin një problem të madh me refugjatët që do t’i prekte vendet e tyre. Kjo ishte veçanërisht e theksuar në Itali, sepse tashmë kishin pasur një problem të madh me emigracionin shqiptar disa vite më parë”, tha ai.
Në atë kohë, Pettifer thotë se Amerika pjesën më të madhe të fuqisë së saj e projektonte nga deti. “Shtetet e Bashkuara, si fuqi ndërkombëtare, mbështeten në masë të madhe në fuqinë detare. Dhe kjo kishte filluar shumë përpara luftës në Kosovë”.
Prioriteti i SHBA-së, thotë ai, ishte “të përpiqeshin të vendosnin ndikim të fortë, në mos kontroll të plotë, mbi bregdetin adriatik – Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë – dhe t’i pengonin rusët që të krijonin ndonjë bazë atje. Në Washington, për një periudhë të caktuar, kishin frikë se rusët mund të merrnin një bazë në Mal të Zi. Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme në atë kohë”.
Sikur Sllobodan Millosheviqi të mos e udhëhiqte Serbinë në atë kohë, britaniku thotë se nuk e di se çfarë do të ndodhte.
“Në atë kohë mendoja se ekzistonte një sistem mjaft koherent që ai e përdorte në mënyrën e vjetër, ashtu siç e përdorte Tito. Por ai sistem u shemb nën presionin e ngjarjeve dhe mendoj se Millosheviqi nuk e kuptoi që me kalimin e kohës pozita e tij po dobësohej”.
“E dimë që aktorë të tjerë, veçanërisht Shesheli, e paralajmëronin Millosheviqin për faktorët strukturorë që po e dobësonin pozitën e Serbisë, por duket se ai nuk i kushtonte shumë vëmendje. Derisa të hapen arkivat në Beograd, me gjasë nuk do të dimë shumë më tepër për këtë”, tha ai.
Lidhur me UÇK-në, Pettifer u pyet për vlerësimin e SHBA-së për të, dhe gazetari serb përmendi se në Serbi kjo ushtri guerile konsiderohet “organizatë terroriste”.
“Siç e dimë, ata që për disa janë terroristë, për të tjerë janë luftëtarë për liri. Këtë mund ta shihni çdo ditë në televizion në rastin e Palestinës. Askush në botë nuk është dakord se çfarë saktësisht është ‘terrorist’. Politologët shkruajnë libra të gjatë për këtë”, tha ai.
Pas takimit së Richard Holbrooke me përfaqësues të UÇK-së, Pettifer thotë se “padyshim që ndodhi një ndryshim i madh në politikë”.
“Washingtoni është një vend shumë i ndërlikuar me shumë organizata të ndryshme, me shumë njerëz me përvoja dhe dije të ndryshme, dhe në një masë të caktuar ekziston edhe rivalitet ndërmjet tyre. Jam i sigurt se kështu është në çdo vend të madh”.
“Në Washington kishte agjenci që ishin shumë qartë të përkushtuara për rrëzimin e regjimit të Millosheviqit dhe për shpërbërjen e Jugosllavisë. Kishte edhe të tjera që anonin më shumë nga stabiliteti dhe ndryshimi më i ngadaltë – evolucionar”.
“UÇK-ja ishte e dobishme si katalizator kundër qeverisë dhe ata ishin të gatshëm, ndoshta jo ta ndihmonin aq shumë, por – ta toleronin”, thotë ai.
Britaniku thotë se shqiptarët “u kthyen drejt opsioneve ushtarake në vend të atyre politike” pas vitit 1995-1996 dhe “UÇK-ja filloi të rritej në një organizatë shumë më të madhe”.
Përceptimi i gabueshëm i Millosheviqit, sipas tij, i mundësoi UÇK-së të forcohej në vende si Deçani e Peja.
Transportimi i armëve dhe municionit për UÇK-në, ai thotë se ishta problem i madh fillimisht, por më pas “u zgjidh” me ndihmën e Shqipërisë që ishte “në anarki”.
“Në atë anarki ishte e mundur të organizoheshin kampe për stërvitje paraushtarake të papenguar. Kështu që viti 1997 ishte shumë i rëndësishëm, për të cilin kam shkruar në librin tim ‘Çështja shqiptare’. Atëherë ajo u hap si një çështje kombëtare e rëndësishme për shqiptarët. Dhe mendoj se Millosheviqi e kuptoi këtë shumë ngadalë”, tha ai.
I pyetur për karrierat politike të disa prej udhëheqësve të UÇK-së dhe mbajtjen e tyre në paraburgim para një procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, Pettifer thotë ndër tjerash se ky “është një proces i njohur mirë në zgjidhjen e konflikteve pas kryengritjeve dhe u zbatua edhe në Kosovë”.
“Njerëzit e ndryshëm kishin përvoja të ndryshme dhe udhëheqës të ndryshëm të shqiptarëve të Kosovës në praktikë sponsorizoheshin nga pjesë të ndryshme të NATO-s, nga vende të ndryshme të NATO-s”, tha ai.
Ai mendon se ky gjykim nuk do të ndikojë në të ardhmen e politikës ballkanike.
“Mendoj se jo. Shikoni çfarë ndodhi me gjykimet e Hagës për njerëzit si Thaçi, Selimi dhe të tjerët. Këto gjykime u zvarritën tepër dhe, sipas të gjitha vlerësimeve të pavarura, standardi gjyqësor në Hagë është shumë i ulët dhe sjellja e gjykatës ka qenë jashtëzakonisht e keqe”.
“Mendoj se kjo tani po kuptohet, sidomos në SHBA. Kjo, në sytë e shqiptarit të zakonshëm të Kosovës, e ka diskredituar të gjithë procesin e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se burgosja e këtyre njerëzve nuk ka ndikuar në politikë. Këtë e kemi parë”, tha ai.
“Partia e Thaçit ka dalë shumë mirë në zgjedhjet e fundit edhe pa të. Sepse tani ai shihet si martir dhe hero kombëtar – pasi ka qëndruar aq gjatë në burg pa dënim”, shtoi ai.
Pettifer thotë se ndërkohë “partia e Kurtit po humb mbështetje, pjesërisht sepse ai ishte shumë i paqartë lidhur me gjykimet e Hagës”.
“Kështu që nuk është arritur shumë. Mund t’ju pyes po ju – a ndryshoi diçka në Serbi gjykimi i Millosheviqit dhe Sheshelit? Mendoj se jo shumë, apo jo”.
Bombardimin, ai thotë se Millosheviqi “nuk e kuptoi mjaft qartë”.
“Në Gaza është bërë një shkatërrim i pabesueshëm, janë përdorur sasi të pabesueshme municionesh, por Hamasi është ende aty. Dhe Hamasi do të jetë aty pavarësisht nëse bombardimet do të vazhdojnë apo jo, kështu që bombardimi nuk është veçanërisht efektiv. Përveç nëse ke rrethana shumë specifike”.
“Dhe mund të thuhet se, për shkak të dobësimit të sistemit të Millosheviqit – mendoj se Shesheli e pohonte këtë atëherë – bombardimi ishte shumë i rrezikshëm për Serbinë. Mendoj se Millosheviqi nuk e kuptoi qartë këtë, të paktën jo mjaft qartë. Dhe vazhdoi të mendonte njësoj si pesë ose dhjetë vjet më parë. Por tani nuk jam i sigurt”.
“I gjithë bombardimi tani perceptohet si histori. Sot jetojmë në një Serbi të ndryshme. Dhe mendoj se është mirë që kjo tani konsiderohet histori”, tha ai

