Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë zëvendësshefin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Letonisë, gjeneralmajor Georgs Kerlins.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se gjatë takimit, dy gjeneralët kanë shkëmbyer mendime mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Ulutaş ka vlerësuar kontributin e Letonisë në KFOR dhe në stabilitetin rajonal, duke shprehur mirënjohje për profesionalizmin dhe përkushtimin e kontingjentit leton.
KFOR rithekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar një ambient të qetë dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX).
 
 
 
 
