I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A.N, i cili dy ditë më parë kishte kanosur gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjykata që aprovoi kërkesën e prokurorisë për paraburgim ndaj të pandehurit thotë se ai kishte shkaktuar shqetësim e pasiguri tek gjyqtari.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 3 nëntor 2025, rreth orës 09:00 në Ferizaj, përkatësisht në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, i pandehuri me dashje, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë se do t`i shkaktoj ndonjë të keqe personit zyrtar – të dëmtuarit I.B., në lidhje me pozitën e tij zyrtare si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në atë mënyrë që pasi që kishte refuzuar pranimin e aktgjykimit, me anë të së cilës është shpallur fajtor dhe gjykuar, kërkon takim me gjyqtarin në zyre dhe pasi që nuk pranohet, në prani të stafit mbështetës të gjykatës: K.L., A.Sh., Sh.R., Sh.H., dhe praktikantëve R.S., dhe E.K., me sjellje të vrazhdë, në shenjë revolte dhe me tonë të lartë kanos me fjalë se: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe fjalë tjera ofenduese, me ç ‘rast si pasojë e këtyre fjalëve dhe veprimeve tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri”, thuhet në vendimin e themelores në Ferizaj për këtë vendim për paraburgim.
Gjykata Themelore në njoftimin për media thotë se gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK- së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kanë njoftuar palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij

