Edicioni i 70-të i festivalit të Eurovisionit, që do të mbahet në Vjenë, do të shënojë rikthimin e tre shteteve, Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë.
Edhe pse rrugëtimi drejt Eurovision 2026 sapo ka nisur, tashmë janë zbuluar disa detaje zyrtare. Qyteti pritës, Vjena, datat e netëve finale, 12, 14 dhe 16 maj, si dhe vendi i mbajtjes, Wiener Stadthalle. Gjithashtu, tri televizione publike kanë konfirmuar rikthimin e tyre në garë pas disa viteve mungesë.
Bullgaria përfaqësohet nga televizioni publik BNT (pjesëmarrja e fundit në Torino 2022), Rumania nga TVR (pjesëmarrja e fundit në Liverpool 2023), ndërsa Moldavia nga TRM, që mungoi vetëm një vit pas Malmö 2024.
“Është fantastike t’i mirëpresim sërish BNT, TVR dhe TRM në Eurovision. Rikthimi i tyre është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të këtij festivali, e forcës së komunitetit tonë dhe e asaj që do të thotë të jemi të bashkuar përmes muzikës”, u shpreh drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green CBE.
Ndërsa pritet me entuziazëm edicioni jubilar i majit të ardhshëm, le të kujtojmë disa nga momentet më ikonike që këto shtete kanë sjellë ndër vite.
Televizioni BNT debutoi në Eurovision në vitin 2005, ndërsa për herë të parë në finalen e madhe u paraqit në Helsinki 2007, ku Elitsa Todorova & Stoyan Yankoulov siguruan një vend të pestë mbresëlënës me këngën Water.
Suksesi më i madh bullgar erdhi në Kiev 2017, me Kristian Kostov dhe këngën Beautiful Mess, e cila u rendit e dyta me 615 pikë, një nga rezultatet më të larta në historinë e festivalit.
Edhe disa këngë që nuk arritën finalen kanë mbetur të dashura për fansat, si Love Unlimited (2012) dhe DJ, Take Me Away (2008). Ndërkohë, Poli Genova, pas një përpjekjeje të pasuksesshme në 2011, u rikthye fuqishëm në 2016 me If Love Was A Crime, duke siguruar vendin e katërt.
Rumania u bashkua për herë të parë në Eurovision në Dublin 1994. Pas një debutimi të moderuar, vendi arriti suksese të rëndësishme, duke hyrë gjashtë herë në Top 10.
Dy arritjet më të mëdha të saj janë vendet e treta në vitet 2005 (Let Me Try) dhe 2010 (Playing With Fire).
Rumania është e njohur për performanca plot energji e kujtime të paharrueshme – nga Balkan Girls (2009), te Yodel It! (2017), e deri te ritmet verore të Zaleilah (2012). Asnjë festë Eurovisioni nuk duket e plotë pa Tornero (2006) apo Llámame (2022).
Edicioni i Eurovision 2026 do të shënojë pjesëmarrjen e 20-të të Moldavisë.
Vendi debutoi në Kiev 2005, ku grupi Zdob și Zdub siguroi vendin e gjashtë me Boonika Bate Toba. Popullariteti i tyre i madh bëri që grupi të rikthehej edhe dy herë: në 2011 dhe 2022, kur Trenulețul arriti vendin e shtatë.
Moldavia është e njohur për artistë që rikthehen në skenë, si Natalia Barbu (2007, 2024), Pasha Parfeni (2012, 2023) dhe Natalia Gordienko (2006, 2021).
Ndërkohë, grupi Sunstroke Project, pas suksesit viral me Run Away (2010), arriti rezultatin më të mirë të vendit deri më sot – vendin e tretë me Hey Mamma në vitin 2017.
Televizioni TRM ka konfirmuar se përzgjedhja kombëtare për Eurovision 2026 do të mbahet më 17 janar në Chișinău Arena.

