Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka thënë se do të ngrejë padi kundër burrit që e ngacmoi seksualisht gjatë një paraqitjeje publike.
Pamjet e incidentit të së martës, të filmuara me telefon celular, tregojnë Sheinbaum duke folur me një grup mbështetësish në një rrugë pranë Pallatit Kombëtar në Mexico City.
Në video, një burrë i afrohet nga pas dhe përpiqet ta puthë në qafë dhe t’i vendosë duart mbi trupin, shkruan BBC,
Sheinbaum u largua shpejt dhe një anëtar i ekipit të saj ndërhyri, por ajo ishte dukshëm e tronditur. I dyshuari tashmë është arrestuar.
“Pikëpamja ime është, nëse nuk paraqes një ankesë, çfarë do t’u ndodhë grave të tjera meksikane? Nëse ia bëjnë këtë presidentit, çfarë do t’u ndodhë të gjitha grave në vendin tonë?” , tha Sheinbaum në një konferencë për shtyp të mërkurën.
“Vendosa të ngre padi sepse kjo është diçka që e kam përjetuar si grua, por që ne si gra e përjetojmë në vendin tonë”, tha ajo.
“E kam përjetuar më parë, kur nuk isha presidente, kur isha studente”.
Ajo shtoi se kishte vendosur të vazhdonte me ngritjen e akuzave kundër të dyshuarit pasi ai dyshohet se kishte ngacmuar gra të tjera në turmë.

