Gjykata e Apelit përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh prokurorit të suspenduar, Beqë Shala i dyshuar për marrje ryshfeti.
Sipas vendimit, ekziston rreziku që Shala po të gjendet në liri mund të asgjësojë provat, të pengojë rrjedhën normale të hetimeve apo të ndikojë në dëshmitarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prandaj, sipas Apelit, Shala duhet të qëndrojë nën masën e paraburgimit.
Ndaj vendimit të Themelores për caktim paraburgimit, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Shalës. Shala është arrestuar në vendin e tij të punës.
Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të një hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” që ka siguruar një video-incizim, në të cilin prokurori Shala dyshohet se më 25 gusht 2022 ka pranuar 350 euro në formë ryshfeti nga avokatja Drenushë Berisha për mos parashtrimin e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit ndaj klientit të saj, i cili ishte nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar lidhur me dosjen e PSRK-së, sipas të cilës prokurori Shala dyshohet për marrje ryshfeti edhe në një rast tjetër.
Më 1 nëntor 2025, “Betimi për Drejtësi” transmetoi hulumtimin “Ryshfeti që i hoqi maskën prokurorit Beqë Shala”, ku u publikua video-incizimi për rastin ku dyshohet se Shala mori ryshfet nga avokatja Berisha.

