Sindikatat paralajmërojnë pasoja të rënda nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2026

by informim peje

Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik kanë paralajmëruar pasoja të rënda për punëtorët dhe qytetarët nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, ose zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit.

Mosprocedimi i Ligjit për Buxhetin e vitit 2026, krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, i lë pa të ardhura 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë dhe mbi 12 mijë familje të dëshmorëve dhe invalidëve të punës.

banner

Mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, pa miratimin e buxhetit për vitin 2026 ose zgjatjen e buxhetit aktual për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, ka rritur frikën te punonjësit e sektorit publik.

Përfaqësuesit e sindikatave të sektorëve kyç të vendit – shëndetësisë, arsimit, administratës publike dhe policisë – thonë se në rast të bllokimit institucional mund të cenohet funksionimi i shërbimeve bazike.

Pacientët rrezikohen të mbesin pa barna esenciale, ndërsa rreth 14 mijë punonjës të sektorit të shëndetësisë mund të mbesin pa paga.

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri, thotë se pasojat në këtë sektor do të jenë të menjëhershme:

“Sektori i shëndetësisë është më i godituri, për arsye se mund të mbetet pa financim të rregullt të barnave, mund të mbesin spitalet pa dallim të përballen me mungesë të materialeve. Edhe tani kemi kriza të mëdha dhe mungesa të mjeteve bazike që përdoren në shëndetësi, prandaj edhe mosformimi i qeverisë dhe mosaprovimi i buxhetit do të krijojë një hendek shumë të madh, si dhe do të shkaktojë frikë e pasiguri te punëtorët shëndetësorë se mund të mbesin pa paga”, ka thënë Imeri.

Situatë të ngjashme përshkruan edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës Publike, Ali Gashi, i cili u ka bërë thirrje partive që të mos luajnë me fatin e punëtorëve:

“Partitë politike për këtë votohen, për të pasur zgjidhje. Nuk janë duke ndarë livadhet e as malet e baballarëve të tyre, por janë aty falë besimit të qytetarëve – pensionistit, doktorit, policit, shërbyesit civil, mjekut, mësuesit e profesorit. Prandaj e kanë obligim ndaj nesh që të bëjnë një zgjidhje e të mos luajnë me fatin e qytetarëve dhe të punësuarve në Republikën e Kosovës. Është e pafalshme – ata le të bëjnë politika tjera, por jo duke vënë në rrezik qytetarin”, është shprehur Gashi.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, paralajmëron se pasojat do të jenë të ndjeshme edhe për mbi 30 mijë punëtorë të arsimit, të cilët e kanë pagën si të vetmin burim jetese:

“Tërë ky numër dhe të gjitha këto familje kanë pikëpyetje se çfarë do të ndodhë nëse mbesin pa paga. Fillimisht, nuk kanë si të jetojnë, sepse shumica e punëtorëve të arsimit pagën e kanë të vetmin mjet për të jetuar. Edhe më keq do të kenë telashe me bankat, pasi në situatën që jemi, me pagat që kanë, shumica janë në kredi. Mospagesa e ndonjë rate do t’i sanksiononte edhe me dënime shtesë”, ka theksuar Jashari.

Në mungesë të miratimit të buxhetit, vihen në rrezik edhe pagesat e mbi 11 mijë policëve, për çka Sindikata ka kërkuar garanci nga Qeveria në detyrë që pagat të vazhdojnë të ekzekutohen rregullisht edhe nëse buxheti nuk miratohet me kohë.

“Në Policinë e Kosovës është ngritur shqetësimi se, në rast të zvarritjes së mëtejshme të këtij procesi, nga muaji janar mund të paraqiten vështirësi në ekzekutimin e pagave për sektorin publik, përfshirë edhe zyrtarët policorë. Në këtë drejtim, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës në detyrë dhe Ministria e Financave të japin garanci që pagat e mbi 11 mijë punonjësve në Policinë e Kosovës do të vazhdojnë të paguhen rregullisht edhe nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë”, ka thënë Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë, shkruan Koha.net.

Partitë politike ende nuk kanë dhënë sinjale për arritjen e një marrëveshjeje që do të shtynte përpara miratimin e buxhetit për vitin 2026, apo zgjatjen e afatit për tre muaj të buxhetit aktual.

Për dallim nga ditët e tjera, në LDK kanë shprehur gatishmëri që, nëse vendi shkon në zgjedhje, të miratohet vazhdimi i buxhetit.

“Në takim me presidenten dje i kam shprehur gatishmërinë për analizën e vazhdimit të buxhetit paraprak, për aq kohë sa ka dakordim politik me të gjitha partitë që po shkojmë në zgjedhje,” ka deklaruar Lumir Abdixhiku në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kanë ofruar zgjidhje për të shmangur bllokimin e buxhetit, duke propozuar për mandatar Glauk Konjufcën.

“Vetë mbledhja e fundit e Kryesisë së Kuvendit ishte ftuar pikërisht për këtë temë – që të gjendet një zgjidhje e përbashkët për temat që na presin përpara, si votimi i buxhetit të shtetit, buxhetit të RTK-së dhe të tri komunave që ende operojnë me buxhet të vitit të kaluar, për shkak të pamundësisë për ta votuar në asambletë përkatëse. Në atë mbledhje partitë opozitare refuzuan kategorikisht. Tash, përveç atij opsioni, e kanë edhe mandatarin tjetër të propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, dhe i ftojmë ta votojnë – kësisoj të shmangim ndër të tjera edhe sfidat e përmendura më lart”, thuhet në deklaratën e LVV-së.

Mosprocedimi i Ligjit për Buxhetin e vitit 2026, krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, i lë pa të ardhura 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë dhe mbi 12 mijë familje të dëshmorëve e invalidëve të punës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy