Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka propozuar organizimin e një ndeshjeje nderi për Lionel Messin, për të shënuar inaugurimin e stadiumit të rinovuar “Spotify Camp Nou”.
Rikonstruksioni prej 1.5 miliardë eurosh, i cili nisi në vitin 2023, do të rrisë kapacitetin e stadiumit në 105,000 vende dhe do të sjellë përmirësime moderne.
Hapja e pjesshme e stadiumit pritet të realizohet në fund të vitit 2025.
Ky propozim ka rikthyer në vëmendje diskutime të mëparshme, ndërkohë që marrëdhëniet me Messin, i cili u largua nga klubi në vitin 2021 për shkak të problemeve financiare, po përmirësohen.
Laporta, ndër të tjera, ka thënë: “Por ndoshta nuk do të ndodhë para fundit të vitit 2026, pasi atëherë do të zhvillohen zgjedhjet e klubit. Nuk e di nëse do të jem ende president atëherë, por nëse do të jem, do të isha shumë i lumtur ta drejtoj këtë ndeshje nderimi për Messin në stadium”.

