Pas 894 ditësh mungesë, Barcelona është rikthyer në shtëpinë e saj legjendare – Camp Nou.
Katalanasit shkelën për herë të parë në fushën e stadiumit të rinovuar, përpara më shumë se 20 mijë tifozëve që kishin mbushur shkallët për të ndjekur seancën stërvitore të skuadrës së trajnerit Hansi Flick.
Rikthimi në “Spotify Camp Nou” shënon një moment historik për klubin dhe tifozët, të cilët pritet ta shohin ekipin e tyre të luajë sërish në këtë stadium deri në fund të nëntorit, kur punimet e rinovimit pritet të përfundojnë për fazën e parë.
Brenda ambienteve të stadiumit, që ende është pjesërisht në rindërtim, emocionet ishin të përziera – mes nostalgjisë për kujtimet e vjetra dhe entuziazmit për një fillim të ri.
894 ditë më parë, më 28 maj 2023, Barcelona kishte zhvilluar ndeshjen e fundit në “Camp Nou” kundër Mallorca-s. Tani, rikthimi në shtëpi u përjetua si një ngjarje e veçantë, një lloj “prove gjenerale” përpara kthimit zyrtar.
Me vinça në sfond dhe ndërtimet që ende vazhdojnë, tifozët reaguan me emocion ndaj çdo pasimi dhe goli, sikur të bëhej fjalë për një ndeshje zyrtare. Në fushë, topi u rrokullis sërish mbi barin që dikur i përkiste Lionel Messit, dhe që tani e shkel Lamine Yamal, simbol i brezit të ri katalanas.
Futbolli është rikthyer në Camp Nou — dhe stadiumi legjendar i Barcelonës ka filluar të ushtojë sërish si dikur

