Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë të drejtë administratës së Donald Trump, duke lejuar zbatimin e një politike që kufizon shënuesit gjinorë në pasaporta vetëm në dy kategori: “mashkull” dhe “femër”, bazuar në gjininë e caktuar në lindje.
Vendimi i gjykatës vjen pas një kërkese emergjente të administratës Trump për të përmbysur rregulloren e miratuar gjatë administratës Biden, e cila u lejonte qytetarëve të zgjedhnin opsionin “X” si shënues gjinor ose të përcaktonin vetë identitetin e tyre gjinor.
“Shfaqja e seksit në pasaportë nuk shkel parimet e mbrojtjes së barabartë më shumë sesa shfaqja e vendit të lindjes. Në të dyja rastet, qeveria po konstaton një fakt,” thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Kjo politikë nënkupton që personat transgjinorë, përfshirë ata që kanë përfunduar tranzicionin dhe kanë dokumente mjekësore që e vërtetojnë atë, nuk do të mund të marrin pasaporta që përputhen me identitetin e tyre gjinor.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e përshkroi vendimin si “një fitore për të vërtetën biologjike”. “Ekzistojnë dy gjini, dhe ne do të vazhdojmë të mbrojmë këtë të vërtetë të thjeshtë,” tha ajo.
Padia është ngritur nga Ashton Orr, një burrë transgjinor nga Virxhinia Perëndimore, i cili kërkoi që pasaporta e tij të përmbante shënuesin “mashkull”. Departamenti i Shtetit refuzoi, duke cituar politikën e re që njeh vetëm gjininë e lindjes.
Një gjykatë federale në Massachusetts kishte vendosur më herët kundër administratës Trump, por Gjykata Supreme tani ka pezulluar atë vendim, duke hapur rrugën për zbatimin e politikës së re.
Megjithëse vendimi nuk është përfundimtar dhe procesi gjyqësor do të vazhdojë, ai shihet si një sinjal i qartë i drejtimit që do të marrë gjykata në këtë çështje të ndjeshme.

