Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Astrit Isufit, i cili dyshohet se më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Malishevës, ka privuar nga jeta dy vëllezërit e bashkëshortes së tij, Naim e Driton Morinën.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Astrit Isufi ka shkuar në shtëpinë e tyre me qëllim që të marrë bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj.
Gjatë largimit nga shtëpia, siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ka pasur një fjalosje midis Astrit Isfuit dhe viktimave, pas së cilës i pandehuri ka nxjerrë armën e zjarrit, pistoletë të tipit TT, dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë fatale në pjesë vitale të trupit.
Naim dhe Driton Morina janë dërguar në QKMF Kijevë, por mjekët kanë konstatuar se ata kanë arritur pa shenja jete. Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, por është arrestuar një ditë më vonë ( 7 nëntor) nga organet e rendit.
Hetimet në lidhje me rastin janë në vijim, ndërsa Prokuroria ka theksuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti tragjik.
“I pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për ta marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete, të nesërmen i pandehuri arrestohet”, thuhet në njoftim

