Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave për të shpjeguar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë, vendimtare për kualifikueset e Botërorit 2026.
Tekniku ka shpjeguar para mediave zgjedhjet e tij, teksa ka detajuar edhe planin dhe pritshmëritë që ka për ekipin për këto dy sfida që mund të hapin rrugën drejt pjesëmarrjes historike në play-off të Botërorit 2026.
Lista – “Unë e kam thënë gjithmonë, se po bëhen 3 vite që jemi këtu dhe po vjen një moment shumë i bukur, që po mbyllet një vit e më pëlqen që të vij në grumbullimin e fundit në kushte për të konkurruar për një play-off. Është shumë e bukur, deri këtu është mirë, kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. E kam thënë që nuk është ende momenti që të marrim lojtarë që luajnë 100%. Por nuk ka qenë kurrë momenti ynë. Kemi marrë lojtarë edhe jashtë ekipi, ne për fat të keq kemi një limit, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, monitorojmë 40-45. Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne, por prej 3 vitesh, kush është golashënuesi më i mirë i yni? Është zoti Bajrami me 7 gola, pra duhet të shënojmë dhe shoh listën e them 7 gola. Pastaj Asani 6, Manaj 4. Përtej kësaj, Bajrami më jep besim kur del në fushë. E vërtetë që nuk jam i kënaqur, as unë e as ai që nuk po luan, por unë duhet të arsyetoj rreth këtyre numrave”.
Golavarazhi – “Unë respektoj shumë Andorrën, herën e fundit kanë barazuar në miqësore dhe me Letoninë, kanë humbur në shtëpi me Serbinë por që i mbajtën në barazim për një pjerës. E pashë ndeshjen, ishte e vështirë dhe Andorra kishte mundësi të qarta për të barazuar. Një kundërsulm nga e majta, janë ekip që nuk dorëzohen. Nuk pësojnë 4-5-6 gola nga Anglia, unë e di dhe lojtarët e dinë që është një ndeshje e vështirë, luajnë me zemër e shpirt, mbrohen 90 minuta, bëjnë 100%. Nuk do të jetë e thjeshtë për të fituar. Unë si trajner nuk e bëj këtë arsyetim, nuk është momenti. Kemi bërë rrugëtim të mirë deri tani, kemi humbur një ndeshje, deri këtu kemi mundësi të shkojmë në play-off. Unë pres ndeshje me intensitet loje, na pret një ndeshje e vështirë, 100%, ua them të gjithëve. Nuk mendoj për gjëra të tjera, për momentin jo”.
Berisha dhe Gripshi – “Medon Berishën po shohim që po luan më shumë. Sa më shumë luan, më mirë për ta, për ne, për të gjithë. Ai ka shënuar, bën rolin e organizatorit hibrid, po bën mirë. Jam i lumtur, është lojtar që më pëlqen shumë. E kemi marrë në Europian për të marrë eksperiencën për të ardhmen. Nuk është se një lojtar kur vjen luan. Herën e fundit për fat të keq nuk e aktivizova, por nuk do të thotë që nuk më pëlqen, përkundrazi, më pëlqen shumë. Më pëlqen që del në fushë, luan, vjen këtu me entuziazëm. Sa i përket Gripshit, është një lojtar që më pëlqeu në miqësore. E njihja pak, teknik, inteligjent në fushë. Bën një rol në krah që hyn brenda, teknik dhe shënon. Ai ndeshjen e fundit e ka bërë me 26 tetor, ka 15 ditë që është me pushime dhe ka humbur shumë. Kemi folur, i kemi dhënë një plan pune. Por janë ndeshje të rëndësishme dhe na duhen ndeshje që minimalisht po stërviten, po mendoj vetëm për Andorrën e për Anglinë, dy ndeshje shumë të vështira”.
Ismajli dhe Tuci – “Ismajli është kthyer nga dëmtimi, jam i lumtur se po luan. Ai kthehet, është një lojtar te i cili kemi besim, po bën një rrugëtim me ne prej tre vitesh. Sa i përket Tucit , ka bërë dy ndeshje me ne në Ligën e Kombeve, me Gjeorgjinë jashtë dhe në shtëpi ndaj Çekisë, luajti edhe ndaj Ukrainës. Për fat të keq kaloi një transferim që humbi pak kohë dhe një dëmtim. Më pëlqen futbollisti, i nisur si organizator, që mund të bëjë numrin 9. Shënon, është inteligjent, e mendoj si një opsion më shumë në fushë dhe na jep mundësi goli, pasi e ka golin. Ai më pëlqen edhe në aspektin strategjik për dy ndeshjet e radhës”.
Kriteret e listës – “Kriteri ynë ka qenë gjithmonë se vjen jo sepse luan 10 ndeshje me Realin, apo se nuk luan me ekip tjetër. Vjen sepse ne na intereson dhe përgjigjet. Dy muaj më parë Manaj ishte jashtë listës, se humbi penalltinë me Serbinë, Unë mund të flas për Manajn se e njoh që nga viti 2014. Pas 97 ditësh, pas penalltisë së humbur me Serbinë në shtëpi, ishte një lojtar që nuk vlente për kombëtaren, nuk bën, nuk ka lidhje. Por Manaj duhet, u bë hero. Nuk ishte as i dobët dhe as hero, është një lojtar që po bën mirë dhe përfaqëson fanellën tonë, si shumë lojtarë të tjerë. Unë si çdo trajner, nuk mund të punoj shumë mbi më shërben apo jo. Bajrami është kryegolashënuesi, nuk mund ët them nuk më shërben. Ne duhet të arsyetojmë e të vendosim besim që të shkojnë në fushë dhe përfaqësojnë fanellën. Në katër ndeshjet e e fundit kemi fituar katër ndeshje, më japin djemtë besim, i marr dhe në fushë ata përfaqësojnë mirë dhe po bëjnë mirë. Mendoj se ky është kriteri. Kemi bërë shumë ndryshime në 3 vite, por kjo është pyetje për ta trajtuar me një kafe përpara në të ardhmen”.
Muja – “Janë dy gjëra të ndryshme, kriteri dhe karakteristikat e lojtarëve. Muja ka bërë kualifikueset e Europianit. Muja në nivelin më të mirë bënte lojtarin e krahut të djathë, nuk është sulmues, por ekuilibrues i skuadrës, me aftësi fizike dhe i inteligjent. Te ne Broja ka marrë këtë vend se është sulmues, se na duhen lojtarë që shënojnë apo prodhojnë në fazën ofensive. Si Asani i cili është një nga golashënuesit. Muja është pak më ndryshe, është më shumë mesfushor që ekuilibron skuadrën, te ne nuk ka vend shumë në këtë moment se duhen gola e sulm. Broja po e bën, Uzuni e bën se është sulmues dhe është më shumë karakteristikë sulmuese”.

