Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo publikoi sot listën e 25 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Në konferencën për shtyp, Silvinjo kërkoi vlerësim maksimal të këtyre dy sfidave.
“Për pak kohë bëhen tre vite që kur kam marrë drejtimin e Kombëtares dhe jemi në një moment shumë të mirë. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Nuk është momenti që të marrim lojtarë që luajnë 100% me klubet e tyre. Kemi 40-50 lojtarë që i ndjekim. Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me Kombëtaren. Është lojtari që ka shënuar më shumë në Kombëtare me ne. Është momenti për të vlerësuar lojtarët që kemi grumbulluar”, tha ai
Për ndeshjen vendimtare, ndaj Andorrës, Silvinjo u shpreh se nuk dëshiron të bëjë llogari, teksa e cilësoi si një ndeshje të vështirë.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, E vlerësoj Andorrën si kundërshtar. Kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit. Do të jetë ndeshje e vështirë, janë ekip që luajnë me zemër dhe shpirt. Mbrojnë me maksimumin e tyre. Nuk dua të bëj llogari tani. Kemi bërë mirë. Të futemi në fushë dhe të luajmë me intensitet. E dimë që do të jetë ndeshje e fortë dhe e vështirë”, tha ai.
Trajneri kuqezi u shpreh i kënaqur që mbrojtësi, Ardian Ismajli është rikthyer në Kombëtare.
“Jam shumë i kënaqur për rikthimin e Ismajlit. Është shumë i rëndësishëm për ne. Kishte një transferim dhe humbi kohë, plus dëmtimi. Ka marrë minuta së fundmi. Është lojtar që depërton në zonë. Të jep mundësinë për të shënuar”, tha Ismajli.
Silvinjo gjithashtu sqaroi se pse nuk u ftua mesfushori Nazmi Gripshi, teksa vlerësoi mesfushorin Medon Berisha.
“Medon Berisha është duke bërë mirë. Sa më shumë të luajë, më mirë për të dhe për ne. Jam i lumtur për të. E kemi marrë në Europian, për të fituar eksperiencë dhe për të qenë i mirë për Kombëtaren në të ardhmen. Nuk kam pasur mundësi ta aktivizoj, sepse e dimë që ka disa limite”, tha Silvinjo.
“Gripshi më pëlqeu ndaj Jordanisë. Është inteligjent. Kampionati atje ka mbaruar, ka 15 ditë me pushime. Ne tani kemi nevojë për lojtarë që stërviten. Nuk mund të mendojmë për të ardhmen”, tha trajneri

