Gara për kryeqytetin, Prishtinë, pritet ta marrë vëmendjen kryesore në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Kryeqyteti ka qenë për më shumë se një dekadë simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në balotazhin e kësaj të diele do të përballen Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrullah Çeku i LVV-së.
Dallimi mes tyre në rundin e parë nuk ka mundur të ishte më i vogël, vetëm 0.5 për qind.
Banorët e Prishtinës, me të cilët Radio Evropa e Lirë foli ditë më parë, presin që kryetari i ri t’u japë fund problemeve që prej vitesh e ngarkojnë jetën e përditshme: trafik i ngarkuar, mungesë parkingu, menaxhim i dobët i mbeturinave dhe hapësira publike që po pakësohen.

