Juniku është komuna që ndër ato në të cilat po votohet sot, ka shënuar pjesëmarrjen më të madhe në votim deri në orën 13:00.
Në qytetin e vogël në perëndim të Kosovës kanë votuar 28,39%, apo 1,377 qytetarë deri në mesditë, sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në Junik të drejtë vote kanë 4,851 persona.
Rahoveci, komuna në jug-perëndim të vendit, është ajo që sipas të dhënave të fundit, ka shënuar daljen më të ulët në zgjedhje deri në 13:00.
Atje kanë votuar 8,63% e qytetarëve, apo 5,141 persona, sipas KQZ-së, që në përllogaritjen e daljes deri në këtë orë ka procesuar atje 70 prej 77 vendvotimeve.
Në komunat e mëdha si Prishtina, Mitrovica e Jugut, përqindja e daljes në zgjedhje deri në mesditë është e përafërt. Deri në orën 13:00, në kryeqytet votuan 17,57%, ndërsa në Mitrovicën e Veriut 17,80%.
Në Prizren, dalja është dukshëm më e vogël. Deri në drekë, atje kanë votuar 9,80%, sipas KQZ-së. Në Gjakovë votuan 10,65%, ndërsa në Pejë 11,24%.
Në tërë vendin, votuan 177,225 persona, apo 13,46%, sipas KQZ-së, që në përllogaritjen e daljes deri në këtë orë ka procesuar 96,99% të vendvotimeve

