Ishte 28 tetori i vitit 2000 kur për herë të parë në Kosovën e pasluftës qytetarët u nisën drejt qendrave të votimit. Me mbikëqyrje të ushtarëve të KFOR-it, kosovarët zgjodhën për herë të parë përfaqësuesit e kuvendeve komunale.
Që nga ora 7 e mëngjesit atëkohë radhët ishin të gjata për të votuar nga entuziazmi për zgjedhjet e para në Kosovën e lirë.
Një vit më pas, më 17 nëntor 2001 u mbajtën gjithashtu për herë të parë zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
E 25 vjet më vonë, Kosova po mban raundin e balotazhit në 18 komuna.
Më 12 tetor u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, e nga 38 komuna që iu nënshtruan zgjedhjeve, 18 prej tyre nuk ia dolën të zgjedhin kryetarin me herën e parë, andaj 4 javë më pas, më 9 nëntor Kosova po shkon në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Procesi i zgjedhjeve në vend ndahet në dy periudha, para dhe pas pavarësisë së Kosovës, kjo pasi që deri në shpalljen e pavarësisë kishte pasur procese të tjera zgjedhore, e i gjithë dizajni i sistemit zgjedhor deri në 2008 mbeti i njëjtë, e pas pavarësisë ndodhën ndryshime të mëdha.
Në zgjedhjet pas pavarësisë ndryshimet që erdhën rrjedhimisht me të ishin përdorimi i përkohshëm i sistemit me lista të mbyllura, futja e pragut zgjedhor, heqja e votimit në mungesë, zhvillimet në regjistrin e votuesve dhe ndryshimet në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në sistemin zgjedhor të dizajnuar në vitin 2000, në rastin e zgjedhjeve për kuvende si ato komunale dhe për Kuvend të Kosovës ka pasur sistem proporcional të përfaqësimit me formulë favorizuese për partitë politike të mesme ose të vogla, ndërsa në rastin e zgjedhjeve për kryetar komune është përdorur sistemi mazhoritar.
Legjislacioni zgjedhor ka qenë mjaft përfshirës edhe për sa i përket elektoratit edhe subjekteve politike të cilat kanë garuar për zgjedhje dhe programeve të votimit që kanë lehtësuar ushtrimin e së drejtës së votës, si dhe në parapëlqimin e sistemit të votimit preferencial.
Ideja për promovimin e gjinisë më pak të përfaqësuar në proces, veçanërisht si kandidatë dhe përfaqësues të zgjedhur, ka qenë e pranishme që nga fillimi.
Komunitetet joshumicë kanë pasur trajtim të posaçëm në formë të ulëseve të veçanta të siguruara dhe rregullave të ndarjes së ulëseve sipas preferencës.
Ndryshimet në të dhëna erdhën po ashtu edhe si pasojë e krijimit të disa komunave të reja në vitin 2009, të cilat janë shkëputur nga komunat amë.
Juniku është krijuar nga territori i Komunës së Deçanit, Parteshi është krijuar nga territori i Komunës së Gjilanit. Hani i Elezit është krijuar nga territori i Komunës së Kaçanikut. Mamusha është krijuar nga territori i Komunës së Prizrenit e zgjedhjet në këtë komunë nuk janë mbajtur deri në vitin 2009, ndërsa në Komunën e Parteshit zgjedhjet janë mbajtur në vitin 2010. Graçanica është krijuar nga territori i Komunës së Prishtinës, kësaj komune i janë bashkëngjitur disa fshatra nga Komuna e Lipjanit dhe ajo e Fushë- Kosovës. Zgjedhjet në këtë komunë të re nuk janë mbajtur deri në vitin 2009. Kllokoti është krijuar nga territori i Komunës së Vitisë. Ranillugu është krijuar nga territori i Komunës së Kamenicës. Mitrovica e Veriut është krijuar duke e ndarë komunën e mëparshme unike të Mitrovicës. Pra deri në vitin 2007, 30 komuna të Kosovës kishin zgjedhje, e pas vitit 2009 u bënë 38, të njëjtat vazhdojnë edhe deri tani.
Që nga paslufta vetëm për Kuvendin e Kosovës janë organizuar 9 procese zgjedhore, ndërkaq për kuvende komunale 8 të tilla.
E zgjedhjet e drejtpërdrejta për kryetar të komunave filluan të mbaheshin në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë janë organizuar 6 procese të tilla zgjedhore.
Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve demokratike është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse. Kosova është shembull i organizimit të zgjedhjeve të qeta e të sigurta

