Eugen Cakolli nga KDI ka bërë ndarjen se sa para do të menaxhojnë partitë në bazë të komunave që kanë fituar.
Ai tha se LDK do të qeverisë rreth një të tretën e buxheteve komunale të Kosovës.
Cakolli shtoi se PDK-ja dhe LVV-ja ndjekin me peshë të ngjashme, ndërsa AAK-ja ruan pozicion të qëndrueshëm me komuna të mesme, por me buxhete solide.
“Këto janë paratë që do të menaxhohen, kontratat që do të nënshkruhen dhe projektet që do të prekin qytetarët. Matja mbi këtë premisë – ndonëse jo e vetmja e as përfundimtare – është ndër më objektivet për të analizuar ndikimin politik në nivel lokal, dhe si e tillë përdoret në plot vende.”
Postimi i plotë:
Ndonëse është vështirë me argumentu ose me i bindë tifozët partiakë – disa prej të cilëve janë pa profesion, disa me profile ‘fake’, disa me injorancë mbi analiza pas-zgjedhore – prapë se prapë, ia vlen që për diskutim publik të shtrohen edhe teza e aspekte lidhur me peshën politike të qeverisjes lokale nëpër komuna.
Fuqia politike nuk matet vetëm me numrin e komunave të fituara, por edhe me madhësinë e përgjegjësisë që secila parti do të mbajë – pra, me buxhetin që do të qeverisë. Sepse politika nuk mund të kufizohet vetëm tek “sa komuna ke”, por sa njerëz dhe sidomos me sa para qeveris realisht.
Kaq e thjeshtë. Po edhe kjo, për disa, e di që është shumë.
Po, Lëvizja Vetëvendosje ka rritjen më të madhe të numrit të komunave të fituara krahasuar me vitin 2021, dhe tash do të qeverisë me 7 komuna, po aq sa LDK-ja. Por vetëm aspekti numerik, në sisteme të decentralizuara, nuk ofron tablo të plotë të situatës, sepse për ashtu, Lista Serbe ka fituar më së shumti komuna. E mbi të gjitha, këto jo medoemos replikohen edhe në zgjedhjet potenciale parlamentare.
Kaq e thjeshtë. Po edhe kjo, për disa, e di që është shumë.
E rezultatet, të bazuara në shifrat zyrtare të buxheteve komunale për vitin 2026, sipas partive kryesore që do t’i udhëheqin ato, janë si vijon:
• LDK → 7 komuna me buxhet total ~€272 milionë
• PDK → 6 komuna me buxhet ~€195 milionë
• LVV → 7 komuna me buxhet ~€171 milionë
• AAK → 5 komuna me buxhet ~€119 milionë
Pra, LDK-ja do të qeverisë rreth një të tretën e buxheteve komunale të Kosovës. PDK-ja dhe LVV-ja ndjekin me peshë të ngjashme, ndërsa AAK-ja ruan pozicion të qëndrueshëm me komuna të mesme, por me buxhete solide.
Këto janë paratë që do të menaxhohen, kontratat që do të nënshkruhen dhe projektet që do të prekin qytetarët. Matja mbi këtë premisë – ndonëse jo e vetmja e as përfundimtare – është ndër më objektivet për të analizuar ndikimin politik në nivel lokal, dhe si e tillë përdoret në plot vende.

