Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u përfshi dje në një incident me një simpatizant të LDK-së tha se në Prishtinë nuk ka fitues, pasi bashkëpartiaku i tij kandidat për kryetar të Komunës, Hajrulla Çeku humbi garën me Përparim Ramën.
Sveçla fillimisht pranoi se LVV-ja kishte pritje më të mëdha nga zgjedhjet lokale.
“Dje u zhvillua dhe u përmbyll me sukses procesi i raundit të dytë zgjedhor ku qytetarët patën mundësinë të zgjedhin udhëheqjen e komunave të tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! doli shumë më mirë se gjitha herat në zgjedhje lokale. Patjetër që pritshmëritë tona, me të drejtë ishin më të mëdha. Nëpër disa komuna na duhet punë më e madhe, e në disa më shumë qartësim të konceptit kundrejt votuesit”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Është e qartë se në Prishtinë askush nuk është fituesi ndërsa humbësi më i madh është qytetari i saj. Lëvizja VETËVENDOSJE! humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do ti kushtojë më së shumti qytetarit”, shtoi Sveçla.
Tani, ai paralajmëroi “angazhim” për ta “minimizuar dëmin”.
“Mbetet që angazhimi ynë të minimizoj dëmin e zvogëloj çmimin gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”.
“Të dashur aktivistë dhe qytetarë, Ju faleminderit përzemërsisht për punën e palodhshme dhe besimin që na e keni dhënë. Vazhdojmë përpara dhe gjithmonë bashkë. Ps”, shtoi ai.
Sveçla dje u bë temë pasi fotografoi një simpatizant të LDK-së jashtë një shkolle. Kështu, ai tha se do të vazhdojë edhe më tej.
“Janë disa që edhe kur bëjnë shkelje, luajnë viktimën. Ata që më njohin, e dijnë shumë mirë se edhe kur kam qenë Drejtor i Inspeksionit, edhe si Deputet e tash Ministër, e mbi të gjitha gjithmonë si aktivist, unë kam reaguar ndaj shkeljeve e padrejtësive. Kështu do të vazhdoj, drejt dhe me shumë punë!”.

