Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar pas fitores së tij në balotazh. Ai ka falënderuar qytetarët për besimin, duke thënë se e ardhmja e Vitisë është në duar të sigurta.
“Kjo fitore është e popullit, e qytetarëve të ndershëm që besojnë në të ardhmen e qytetit tonë. Ju faleminderit nga zemra, për besimin, për bashkëpunimin, për dashurinë tuaj. E ardhmja e Vitisë është në duar të sigurta, sepse është në duart tuaja. Së bashku, Vitinë do ta çojmë PËRTEJ!” – ka shkruar ai
Postimi:
Faleminderit pa fund, Vitia ime!
Historia u shkrua nga duart tuaja, me votën tuaj, me besimin që keni treguar në rrugën tonë të përbashkët. Kjo fitore është e juaja, e çdo qytetari, e çdo familjeje, e çdo të riu e të reje që besoi se puna, përkushtimi dhe ndershmëria triumfojnë gjithmonë.
Ju faleminderit nga zemra për çdo takim, çdo buzëqeshje, çdo fjalë mbështetjeje dhe çdo hap bashkë në këtë rrugëtim. Ju faleminderit që treguat se Vitia është qytet i njerëzve që duan vendin e tyre, që nuk lodhen, që ecin përpara me dinjitet, me besim në punë mbi premtime, e përkushtim mbi interesin personal. Kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, asgjë nuk na ndal!
Vitia do të vazhdojë të ecë përpara, më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë. Ne do të vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin respekt për çdo njeri, e me të njëjtin ideal që na bashkon: të ndërtojmë një Viti që nuk ndalet.
Kjo fitore është e popullit, e qytetarëve të ndershëm që besojnë në të ardhmen e qytetit tonë. Ju faleminderit nga zemra, për besimin, për bashkëpunimin, për dashurinë tuaj. E ardhmja e Vitisë është në duar të sigurta, sepse është në duart tuaja. Së bashku, Vitinë do ta çojmë PËRTEJ!
I juaji, me mirënjohje dhe dashuri,
Sokol Haliti

