Analisti Agon Maliqi ka publikuar një, sic thotë ai, ilustrim amatoresk të argumentit të tij se hartën politike të Kosovës e ka formësuar më shumë gjeoekonomia se ckado tjetër.
“Një ilustrim amatoresk me telefon i argumentit tim të djeshëm se hartën politike të sotme të Kosovës e ka formësuar më shumë gjeoekonomia se çkado tjetër. Kosova tashmë është ndarë në tre “zona ekonomike” që e kanë përjetuar ndryshe pasluftën sepse kanë ndryshuar rrënjësisht rrugët tregtare dhe domethëniet e kufijve, dhe kjo po reflektohet edhe politikisht.”
Ai tha se zonat 1 dhe 2 janë fituese relative të pasluftës sepse sipas tij aty u hapën rrugët tregtare.
“Zonat 1 dhe 2 janë fituese relative të pasluftës sepse aty u hapën rrugët tregtare (përfshi autostrada), disa si zonat malore qëndrore u nxorën nga izolimi dhe kufijtë më nuk ishin mure ekonomike por oksigjen. Në këto zona dhe psh. qytete si Ferizaji mirëqenia u rrit më shumë dhe mesazhi se “Kosova u shkatërrua që 25 vjet” rezonon më pak, prandaj aty ish-opozita mbetet dominuese.”
Maliqi shton se zona 3 është zona që pas luftës ishte humbëse relative sepse u kthye në zorrë qorre ekonomike.
“Zona 3 është zona që pas luftës ishte humbëse relative sepse u kthye në zorrë qorre ekonomike, ku kufiri pas luftës u bë më i fortë dhe u kthye në mur për rrugët e mëhershme tradicionale tregtare (psh me Novi Pazar, Luginë të Preshevës, etj). Shto këtu edhe afërsinë fizike me Serbinë që e rritë perceptimin e kërcënimit, dhe kuptohet pse në këtë zonë VV dhe mesazhi i saj dominon.”

