Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia zgjasë edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit analistit politik Fatmir Sheholli, i cili po hetohet nën dyshimin për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.
Zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Prokurorisë është aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, me arsyetimin se hetimet ndaj Shehollit janë ende në zhvillim.
Sheholli u arrestua në fillim të tetorit në Prishtinë, ndërsa deri më tani autoritetet nuk kanë zbuluar detaje mbi natyrën e dyshimeve apo palën për të cilën ai dyshohet se ka spiunuar. Megjithatë, Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, kishte aluduar menjëherë pas arrestimit se rasti lidhej me aktivitete në favor të Serbisë.
“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”, kishte deklaruar Sveçla, duke shtuar se Sheholli kishte pasur “hapësira të pakufizuara” në media dhe kontakte me individë që, sipas tij, punonin kundër interesave të shtetit të Kosovës.
Rasti Sheholli është njëri nga disa hetime të hapura kohët e fundit në vend për spiunazh. Vetëm gjatë këtij viti, disa persona – përfshirë serbë dhe shqiptarë – janë arrestuar apo dënuar nën akuza të ngjashme për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është krim i rëndë që dënohet me të paktën pesë vjet burgim. Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë dukuri si kërcënim serioz për stabilitetin kombëtar dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

