Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 20 ushtarakëve turq që humbën jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni ushtarak mallrash C-130 pranë kufirit midis Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë.
“Në këtë rast fatkeqësie, bashkëndjejmë dhimbjen me miqtë tanë turq për rrëzimin e avionit ushtarak transportues C-130 të Forcave të Armatosura Turke, që po fluturonte nga Azerbajxhani në drejtim të Turqisë. U shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha humbjet e pësuara nga ky aksident ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, si dhe autoriteteve turke. Qofshin të bekuar të gjithë ushtarët e Kosovës dhe të Turqisë në misionet e tyre fisnike për mbrojtjen e vendeve të tyre dhe të paqes”, ka shkruar Maqedonci.
Një avion ushtarak turk C-130, me 20 pjesëtarë të forcave të armatosura në bord, u rrëzua të martën pasi u ngrit nga Azerbajxhani në drejtim të Turqisë.
Në një njoftim të publikuar në platformën “X”, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë ka bërë të ditur emrat e 20 ushtarakëve që humbën jetën në aksident.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, ka shprehur ngushëllime përmes një mesazhi publik:
“Shokët tanë heroikë u martirizuan më 11 nëntor 2025, kur avioni ynë ushtarak i mallrave C-130, duke u kthyer nga Azerbajxhani, u rrëzua pranë kufirit Gjeorgji–Azerbajxhan. Në emrin tim dhe të gjithë anëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, uroj mëshirën e Allahut për heronjtë tanë të rënë dhe shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e tyre dhe kombin tonë fisnik”, thuhet në mesazh.

