Ish-kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në një deklaratë publike drejtuar qytetarëve dhe strukturave të partisë, Hamza tha se vendimi i tij vjen me “përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e PDK-së”.
Hamza theksoi se PDK ka potencialin për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si forca kryesore politike në vend, duke kujtuar rolin historik të partisë nga lufta për liri deri te proceset e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës.
“PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja,” deklaroi Hamza.
Në fjalën e tij, ai falënderoi edhe ish-kryetarët Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqi për menaxhimin e partisë gjatë periudhave të vështira, duke i vlerësuar për “udhëheqje me dinjitet”.
Hamza bëri thirrje për bashkim të strukturave të partisë dhe një orientim të qartë drejt zhvillimit ekonomik, drejtësisë dhe integrimit evropian të vendit.
“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve,” shtoi ai.
Me këtë njoftim, Bedri Hamza zyrtarisht hyn në garën për drejtimin e PDK-së, në një periudhë kur partia po përgatitet për kongresin e saj zgjedhor dhe për sfidat e reja në skenën politike të vendit.

