Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Brestit në Francë, ku një çift shqiptar u gjet i pajetë në banesën e tyre të enjten pasdite. Sipas mediave franceze, alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë për dy të shtëna me armë në adresën 101 Rue Général-Paulet.
Forcat policore, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje, gjetën trupat e një burri 36-vjeçar dhe bashkëshortes së tij 30-vjeçare. Pranë tyre u sekuestrua edhe një pushkë gjuetie, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në krim.
Hetimet paraprake po çojnë drejt pistës së një vrasjeje brenda familjes, ku burri dyshohet se ka qëlluar gruan dhe më pas ka kryer vetëvrasje. Autoritetet vazhdojnë kontrollet dhe marrjen e dëshmive për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa prokuroria pritet të dalë me detaje shtesë në ditët në vijim.
Çifti la pas dy fëmijë të mitur. Njëri prej tyre ishte në shkollë në momentin e tragjedisë, ndërsa tjetri nuk mundi të hynte në banesë pas të shtënave.
Komuniteti lokal është tronditur nga drama familjare, ndërsa shërbimet sociale janë angazhuar për të ofruar kujdesin e nevojshëm për fëmijët e mbetur jetimë.

