Një studim ka treguar se nisja e punës para orës 8 të mëngjesit mund të duket si një mënyrë për të fituar kohë, por psikologë dhe ekspertë të gjumit paralajmërojnë se oraret shumë të hershme mund të shkaktojnë dëme të ndjeshme në shëndet dhe performancë. Sipas ekspertëve, shumica e njerëzve nuk janë biologjikisht të përgatitur për të filluar punën kaq herët.
Sipas psikologes së gjumit Jessica Meers, ritmi cirkadian i shumicës së individëve favorizon zgjimin mes orës 7:00–8:00. Ajo shpjegon se nisja e punës më herët krijon “mospërputhje cirkadiane”, e cila ndikon negativisht në vëmendjen, reagimet dhe produktivitetin. Psikologia e punës Marie-Helene Pelletier nënvizon rëndësinë e një periudhe tranzicioni pas zgjimit. Ajo thotë se fillimi i menjëhershëm i punës rrit mjegullimin mendor për shkak të “inercïsë së gjumit” dhe mund të prishë vetë cilësinë e gjumit.
Ekspertët paralajmërojnë edhe për rreziqe afatgjata: problemet kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti dhe obeziteti lidhen ngushtë me çrregullimin e ritmeve biologjike. Studime të viteve 2022 dhe 2023 e kanë konfirmuar këtë lidhje.
Sipas neuropsikologes Sanam Hafeez, oraret shumë të hershme dëmtojnë zakone të shëndetshme si ushtrimet fizike dhe mëngjesi, duke ulur energjinë dhe rritur stresin gjatë ditës. Ajo shton se gjumi i pamjaftueshëm dëmton kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve, ndërsa punonjësit bëhen më të prirur për gabime.
Ekspertët mendorë theksojnë se zgjimi i tepër i hershëm rrit irritimin, stresin, ankthin dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet sociale, duke shtuar ndjesinë e izolimit.
Si këshillë praktike, Pelletier rekomandon një periudhë “ngrohjeje mendore”, planifikim i ditës, ushtrime të lehta apo meditim, para se të hyhet në aktivitetet intensive të punës.

