Vagonët e sapo-riparuar të trenit të “Trainkos”, këtë të shtunë janë dëmtuar dhe ngjyrosur në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit.
Ky incident vjen pas dëmtimit të xhamave që kishte ndodhur në muajin prill, transmeton Klankosova.tv.
Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” ka reaguar pas rastit, ku ka kërkuar nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.
“Që nga fillimi i këtij projekti në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes janë të mëdha:humbje financiare që tejkalojnë 10 milionë euro, humbje të klientelës dhe të imazhit, zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në atë rrugor”.
“Këto pasoja do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe ndaj përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësim të shërbimeve të transportit hekurudhor”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.
Sipas tyre, vagonët janë riparuar me një investim prej 423,000 euro, nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe ende pa u vënë në operim janë dëmtuar sërish.
Aktualisht, “Trainkos” thotë se transportimi i pesë vagonëve është i pamundur, pasi linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit mbetet e mbyllur.

