Ish-kryediplomati dhe një nga politikanët më aktivë në vend, tani kandidat për kryetar të PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së, Bedri Hamza, që të përballen në debat televiziv që nga java e ardhshme.
“Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe të debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por si ngjarje e madhe politike me rëndësi për të gjithë Kosovën.
“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së nuk duhet të jetë ngjarje e vogël, duhet të jetë ngjarje e madhe. Është garë e madhe politike në interes të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se synon që procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të shënojë mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri për vendin në vitin 2026.
Ai shtoi se një PDK e fortë u shërben edhe të paraburgosurve në Hagë.
“Në pranverë dua që ata ta shohin një PDK të fortë”, ka deklaruar Hoxhaj, duke përmendur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Të premten mbrëma, Hoxhaj deklaroi se është “i vendosur” të garojë për kryetar të PDK-së, duke theksuar nevojën për prezantimin e platformave për të ardhmen e partisë. Ai tha se zhvillimet politike dhe kriza aktuale në vend janë arsyet pse ka vendosur të hyjë në garë, duke qenë pjesë e PDK-së që nga themelimi.
Gjatë intervistës në “Rubikon”, Hoxhaj tha se po të ishte në krye të PDK-së, Kosova nuk do të ishte futur në krizë.
“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç”, u shpreh ai.
Në vitin 2021, pas arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, Enver Hoxhaj mori drejtimin e partisë si ushtrues detyre. Ai e udhëhoqi PDK-në deri në përfundimin e zgjedhjeve nacionale, duke e çuar partinë nga vendi i tretë në të dytin në nivel nacional.
Hoxhaj tha se drejtimi i partisë në atë kohë ishte edhe një amanet moral i Veselit, duke kujtuar marrëdhëniet e tij të hershme me drejtuesit e PDK-së dhe rolin e tyre në shtetndërtim, përfshirë negociatat e Vjenës në vitin 2007.
“2021-ta ka qenë një situatë krejt tjetër politike. Atë vit unë kam marrë udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, kur askush tjetër nuk e ka marrë. Ka qenë insistim i zotëri Kadri Veselit që unë ta udhëheq PDK-në, ka qenë një farë amaneti moral i tij”, tha ai, duke shtuar se në një moment dramatik, kur u kuptua se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të arrestoheshin, ai kishte mbrojtur dhe unifikuar partinë në një kohë tronditjeje historike.
Hoxhaj ka kritikuar mënyrën e organizimit të Konventës së PDK-së që pritet të mbahet të hënën, duke thënë se po lejohet mungesa e garës dhe po promovohet një preferencë e një rrethi të ngushtë prej 4–5 personash.
“Kushdo që garon në PDK, mos ta ketë vetëm mbështetjen e një grupi të ngushtë prej 4–5 njerëzve”, theksoi ai.
Sipas tij, konventa e thirrur është “improvizim”.
“Procesi nuk është serioz dhe nuk ka proces as politik as demokratik. Konventa, në formën se si është menduar të mbahet, është një improvizim, skenë, intrigë politike”, deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se ish-kryetari i PDK-së do të duhej ta kishte përgatitur më mirë procesin.
Ai theksoi se partia ka nevojë për hapje dhe përfaqësim më të gjerë.
Duke qenë një ndër aktorët kryesorë të politikës së jashtme të Kosovës, Hoxhaj tha se politika e jashtme është tema kryesore me të cilën përballet vendi. Ai theksoi se një qeveri e ardhshme duhet të ketë dialog strategjik të garantuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë shtyllë kyçe të politikës së Kosovës.
Sipas tij, politika e jashtme nis me mbrojtjen, sigurinë, sigurinë energjetike dhe pozicionimin e faktorëve shqiptarë në rajon. Ai tha se dikush që synon ta udhëheqë vendin duhet të jetë i aftë të komunikojë me SHBA-në, Evropën dhe administratën Trump, por edhe me partitë politike brenda vendit.
“Nëse dikush pretendon ta udhëheqë vendin, të mbajë raport me botën dhe të mos jetë në gjendje të bëjë dialog me partitë politike në vendin tënd, të mos jetë në gjendje të bëjë kompromis, atëherë kemi problem”, tha Hoxhaj.
Ai kujtoi se gjatë dy mandateve si ministër i jashtëm kishte sjellë qindra njohje për Kosovën, duke mbajtur kontakte të rëndësishme me politikanë evropianë dhe amerikanë.
Hoxhaj bëri të ditur se javën e ardhshme në Kosovë do të vijë ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, me të cilin tha se ka kontakte që 20 vjet.
“Ai ka agjendë të takojë kryeministrin, por unë do ta kisha takuar nëse do të isha në krye të PDK-së dhe do të kisha kërkuar mbështetje për Kosovën”, tha ai.
Ai shtoi se po të ishte kryetar i PDK-së, situata politike nuk do të kishte degraduar në pikën ku është sot.
Mëngjesin e të premtes, Hoxhaj kërkoi që Konventa e PDK-së të shtyhet, duke e quajtur procesin aktual të ngutshëm dhe jo serioz për një vendimmarrje të tillë. Ai tha se një parti serioze nuk mund të zhvillojë një konventë politike dhe përmbajtësore në kaq pak kohë, duke kërkuar shtyrjen e saj të paktën deri të dielën e ardhshme.
“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar për PDK-në. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai tha se është kundër çdo imponimi dhe çdo tentative për orientimin e garës, duke theksuar se baza e partisë duhet të respektohet.
Hoxhaj e mbylli reagimin duke theksuar se ky është momenti për t’i hapur rrugë ndryshimit të vërtetë në parti.

