Ish-ambasadori holandez: Procesi në Hagë po zgjatet, por ish-krerët e UÇK-së do të lirohen

by informim peje

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, beson se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të shpallen të pafajshëm.

Bosch, në një intervistë për Ekonomia Online, ka nënvizuar se procesi ndaj tyre po shkon ngadalë dhe është tejzgjatur. Në këtë intervistë ai foli edhe për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, duke theksuar se situata politike në vend ka ndryshuar dhe se mungesa e një qeverie funksionale shkakton pasoja.

banner

Ish-ambasadori Robert Bosch tha se deklarata e gjeneralit Wesley Clark në Hagë do të jetë e ngjashme me deklaratat e mëparshme, sipas të cilave brenda UÇK-së nuk ka pasur organizim hierarkik.

“Ai (Wesley Clark) ende nuk e ka dhënë deklaratën, por unë e di sigurt se çfarë do të thotë. Ai do të përsërisë të njëjtën gjë që kanë thënë edhe të tjerët: se brenda UÇK-së nuk ka pasur një organizim të tipit hierarkik, nga lart-poshtë apo çfarëdo forme tjetër të centralizuar. UÇK-ja ka qenë një organizatë e decentralizuar. Këtë do ta konfirmojë me siguri, sepse natyrisht nuk do t’u kundërvihet kolegëve të tij. Dhe në fakt, ai ishte personi nga i cili unë zakonisht merrja informacionet kur merrja pjesë në ato përditësime.

Procesi po ecën shumë ngadalë, siç dihet, por tani të paktën po mundohen ta finalizojnë me dëshmitarët e prokurorisë. Sipas asaj që mbaj mend dhe di, kjo fazë do të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërsa aktgjykimi pritet vitin e ardhshëm. Megjithatë, siç e kam thënë edhe më herët, mendoj se aktgjykimi do të rezultojë me lirimin e të gjithëve,” tha ai.

Ai foli edhe për ngërçin politik në vend, duke shprehur çudinë për propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, që u përsërit 56 herë.

“Kjo është pak e vështirë të thuhet me saktësi, por sigurisht situata ka qenë e çuditshme. Ishte e pazakontë që një kandidat për kryetar të Kuvendit të propozohej 56 herë edhe pse dihej se nuk do të zgjidhej. Pse të vazhdohej me një proces që nuk çonte askund? Askush nuk mund të thotë se kjo nuk është e çuditshme. Në fund, çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar se nuk mund të përsëritet pafund. Por pyetja mbetet: pse nuk shkoi më herët atje për të arritur një zgjidhje?

Kjo situatë është e dëmshme për vendin, sepse shumë procese nuk mund të nënshkruhen. Kam dëgjuar edhe biznesmenë që thonë se janë në pritje të kontratave, por askush nuk është i autorizuar t’i nënshkruajë, pasi qeveria është vetëm kujdestare dhe nuk ka kompetencë për vendime të tilla. Kjo dallon nga Holanda, për shembull, ku edhe qeveritë kujdestare mund të nënshkruajnë shumë vendime; Parlamenti mund të mos pajtohet, por të paktën vendi nuk paralizohet. Këtu, për arsye që nuk i kuptoj, proceset janë bllokuar plotësisht,” tha Bosch.

Ai u rezervua të komentojë raportet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me ndërkombëtarët, por tha se në Kosovë njerëzit nuk po punojnë së bashku.

“Nuk e di çfarë të them për marrëdhëniet e Kurtit me komunitetin ndërkombëtar. Në Kosovë shoh që ka shumë njerëz që nuk po punojnë bashkë, dhe kjo është sigurisht shumë e keqe. Siç e dini, unë kam qenë më herët në Shqipëri, dhe atje ishte ai nivel ekstrem: njerëzit që e urrenin njëri-tjetrin, që akuzonin njëri-tjetrin për gjërat më të këqija të mundshme. Gjithmonë Kosova merrej si shembull, sepse njerëzit ishin më të sjellshëm. Por duket se edhe kjo ka ndryshuar pak; edhe këtu njerëzit kanë filluar të sillen keq, jo aq sa në Shqipëri, por sërish. Nuk duhet të shkoni në atë drejtim, ku çdo gjë që bën opozita quhet krim,” theksoi Bosch.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy