Deputeti apo ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku dhe kryetari i sapozgjedhur i Mitrovicës, Faton Peci, vizituan sot stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicën e Jugut, ku po zhvillohen punimet që lidhen me përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030. Ministri Çeku e bëri të ditur vizitën përmes një postimi në Facebook, të cilin më pas e shpërndau edhe kryeministri Kurti.
Në njoftimin e tij, Çeku theksoi se Mitrovica pritet të jetë një nga qytetet pritëse të Lojërave dhe se institucionet po punojnë me përkushtim për realizimin e planit investiv që do të mundësojë një organizim të nivelit të lartë.
“Mitrovica do të jetë një nga qytetet mikpritëse të Lojërave Mesdhetare 2030. Vazhdojmë me përkushtim e seriozitet të zbatojmë planin investiv të Lojërave, për një organizim të shkëlqyer,” ka shkruar Çeku, duke shtuar se stadiumi olimpik “Adem Jashari” po merr formën përfundimtare.
Sipas tij, ekipi kombëtar i Kosovës shumë shpejt do të ketë “shtëpinë e dytë të pranuar ndërkombëtarisht”, ndërsa ai, së bashku me kryetarin Peci, ka parë nga afër fazën aktuale të punimeve dhe progresin e infrastrukturës sportive.
Vizita e sotme vjen në kuadër të përgatitjeve intensive që po zhvillohen në disa qytete të vendit për të pritur ngjarjen më të madhe sportive që Kosova organizon deri më tani.

