Nga vendi më i sigurt në Ballkan në ‘shtëpinë e 900 bandave’? Gecaj: Fantazi presidenciale

by informim peje

Bajram Gecaj i LDK-së ka publikuar një reagim të fortë dhe plot ironi në Facebook, duke vënë në shënjestër deklaratat e presidentes Vjosa Osmani, e cila së fundi u shpreh se institucionet e Kosovës kanë “çmontuar 900 banda kriminale”.

Gecaj e nis reagimin me një titull satirik: “Internacionalja ndërkombëtare e bandave: bëni çka të bëni, veç kah dera e Vjosës e Albinit mos kaloni!”, duke paralajmëruar se teprimet e tilla politike e kthejnë Kosovën në një realitet të sajuar.

banner

Sipas tij, deklarata e Presidentes tingëllon më shumë si trailer i ndonjë seriali kriminalistik se sa raport institucional: “Çfarë është kjo, intervistë apo Narcos – Kosova Edition?”.

Ai kujton se deri dje Kosova promovohej si vendi me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tani, sipas narrativës së fundit, del sikur bandat qenkan grumbulluar këtu si në një panair ndërkombëtar të krimit. Gecaj thekson se të dhënat ndërkombëtare flasin krejt ndryshe: “Sipas indeksit global të krimit për vitin 2025, publikuar nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime, Kosova vlerësohet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor – mesatare 4.85 në shkallën 1–10”. Krahas atyre të dhënave, sipas tij, pretendimi për 900 banda të çmontuara e shndërron Kosovën në një kombinim absurd mes Kolumbisë së viteve ’90 dhe një performance politike për konsum të brendshëm.

“Sipas Vjosës, del që paskemi krimin më të lartë, banda më shumë se Kolumbia dhe, për më tepër, i kemi çmontuar të gjitha për një mandat. Fantastiko-shkencore”, ironizon ai.

Për ta bërë edhe më të qartë kontrastin, Gecaj kujton se kartelet kolumbiane – Medellín, Cali, Norte del Valle – janë goditur me dekada të tëra, me operacione të përbashkëta të CIA-s, DEA-s, ushtrisë dhe me miliarda dollarë. “Ndërsa ne, sipas logjikës presidenciale, një komunikatë shtypi dhe voilà – u zhdukën 900 banda imagjinare”.

Gecaj paralajmëron se dëmtohet jo opozita, por vetë imazhi i Kosovës, duke e kthyer vendin në një “Kosovë të karteleve” që nuk ekziston, madje as Serbia nuk do të guxonte ta shpikte një etiketë të tillë. Ai thotë se shpreson që partnerët ndërkombëtarë ta kuptojnë më mirë realitetin kosovar sesa e kuptojnë, siç thotë ai me ironi, “Vjosa, Albin dhe kompania”, duke mos u mashtruar nga retorikat që synojnë mobilizim të brendshëm, veçanërisht te “analfabetët funksionalë” – një term që Gecaj thotë se e huazon nga kryeministri Kurti. Në përfundim, ai thekson se shteti nuk ndërtohet me konferenca triumfale për banda që ekzistojnë vetëm në fjalime, as për t’i bërë qejfin fraksioneve radikale të ekstremit të majtë.

Sipas tij, Kosova meriton seriozitet, jo legjenda kriminale për efekte propagandistike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy