Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur 2 masa sigurie ndaj Belinda Ballukut, pas marrjes të pandehur nga Prokuroria e Posaçme muajin e kaluar.
Për BalkanWeb gazetarja Klodiana Lala raporton se masa e marrë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, është pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Balluku është marrë rreth tre javë më parë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me aferën e tunelit të Llogarasë. Ndërsa mësohet se ndaj zv/kryeministres është ngritur një tjetër akuzë, këtë herë për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Akuza e re ndaj Ballukut është sërish për shkelje të barazisë në tendera.
GJKKO ka bërë reagimin e parë, pasi vendosi për Belinda Ballukun masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. GJKKO thekson se “në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun”. “Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, vijon GJKKO.
Njoftimi nga GJKKO
Përshëndetje të gjithëve!
Uroj të jeni mirë.
Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës

