Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se partia e tij do të preferonte një listë të përbashkët të partive opozitare për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ai ka thënë se nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit e deri tash nuk ka ndryshuar asgjë që PSD-ja t’i futet garës së caktuar për 28 dhjetor.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk prodhuan asgjë, përveç bllokadave dhe konflikteve e dëmeve. Mbetet të marrim vendim të ri. Javën e ardhshme do ta marrim vendimin përfundimtar. Personalisht mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë që PSD-ja t’i futet kësaj gare”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së. “Nuk është ideja jonë të bëhemi një apo dy deputetë. Ideja e PSD-së është të krijojmë parti politike në kuptimin elektoral, ta përafrojmë votuesin”.
Sipas tij, PSD-ja do të preferonte të ishte pjesë e një liste të përbashkët opozitare duke e konsideruar të rëndësishme për qytetarët.
“Këta nuk duan me Kurtin, por duan bashkë. Pse mos të garojnë bashkë? Thonë se nëse bëhemi bashkë mund të humbim vota. Pse nuk deklarohen bashkë të gjitha dhe të thonë se pas zgjedhjeve ne qeverisim bashkë pasi ky është bllokuesi”, ka deklaruar ai. “PSD-ja do ta mbështeste dhe do të bëhej pjesë e një liste në një shpjegim të tillë politik që mendoj se është e rëndësishme për qytetarët, por edhe për partitë opozitare të Kosovës”.

