Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe procesin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka theksuar rëndësinë e garantimit të një procesi zgjedhor të rregullt, të qetë dhe të përputhshëm me standardet më të larta demokratike. Ajo ka nënvizuar se institucionet duhet të sigurojnë mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Në takim u riafirmua gjithashtu përkushtimi i Kosovës për të thelluar bashkëpunimin dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushat e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Po ashtu, u diskutua për hapat e ardhshëm në drejtim të avancimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, një proces që ishte shtyrë përpara edhe gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Sekretarit të Jashtëm britanik.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi, duke konfirmuar gatishmërinë e të dyja palëve për të forcuar partneritetin në interes të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.

