Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor. Sipas tij, kjo datë është rezultat i kalkulimeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat, siç thotë ai, janë bërë në koordinim të plotë me presidenten.
Në një intervistë në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Guri e cilësoi shpërbërjen e Kuvendit si “lajm të mirë”, por theksoi se vendit iu humbën edhe 15 ditë shtesë për shkak të tentimit që Glauk Konjufca të mandatohej për kryeministër.
“Shpërbërja e Kuvendit është lajm i mirë, mbase është pak i vonuar se Kosova i ka humbur edhe 15 ditë të tjera… E siç duket marrëveshja mes Vjosa Osmanit për mandatimin e Konjufcës ka qenë kjo që e kemi thënë gjithmonë, që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor. 28 dhjetori nuk është ndonjë fatkeqësi, si LDK nuk e shohim problematik”, tha ai.
Guri u shpreh i sigurt në rezultatin e LDK-së, duke rikujtuar se partia e tij ka dalë e para në disporë në zgjedhjet e 12 tetorit dhe 9 nëntorit. Sipas tij, LDK-ja i beson mërgatës”.
“Sepse LDK-ja edhe në zgjedhjet e 12 tetori e 9 nëntorit ka dalë partia e parë. Kështu që ne jemi jashtëzakonisht optimist sa i përket rezultatit të mërgatës. Edhe nuk i frikësohemi mërgatës…”, deklaroi ai.
Duke e kritikuar hapur Vetëvendosjen, Guri tha se partia në pushtet po pret “shpëtim prej mërgatës”, duke e konsideruar këtë shenjë të rënies së saj politike.
“Është perëndimi politik i partive, kur ato e vërejnë edhe vetë që u ka humb besimi i qytetarëve… edhe presin shpëtim prej mërgatës. Ata po harrojnë që ata të mërgatës kanë familjarë në Kosovë, që paguajnë fatura të energjisë elektrike, që kur shkojnë në market është shtrenjtuar shporta e konsumatorit…”, tha Guri, duke theksuar se diaspora është e informuar për realitetin ekonomik në vend përmes familjarëve të tyre.
Deputeti i LDK-së paralajmëroi se data 28 dhjetor do të vonojë proceset institucionale, nga konstituimi i Kuvendit deri te formimi i qeverisë së re, ndërsa fajësoi VV-në për kalkulime politike të koordinuara me presidenten.
“Është perëndimi politik i një partie kur e vëren vetë që e ka humb besimin te qytetarët që jetojnë në Kosovë. Dhe kërkon shpëtimin prej diasporës, duke u koordinuar me presidenten për ta ndërruar datën e zgjedhjeve me 28 dhjetor… Krejt kanë qenë kalkulime të LVV-së, që fatkeqësisht kanë qenë të koordinuara me presidenten Osmani”, përfundoi ai.

