Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për përsëritje të procesit zgjedhor në Mitrovicë, duke konfirmuar vendimin e mëhershëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Me këtë vendim, Supremja e ka bërë të qartë se në këtë komunë nuk do të ketë rivotim.
Sipas njoftimit zyrtar, ankesa e PDK-së kundër vendimit të PZAP-së të datës 14 nëntor 2025 është vlerësuar si e pathemeltë. PDK kishte kërkuar nga Gjykata Supreme të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke pretenduar shkelje të cilat, sipas saj, kishin cenuar integritetin e votimit.
Megjithatë, Supremja konstatoi se pretendimet e paraqitura nuk janë provuar dhe se nuk ekziston asnjë bazë ligjore që të vërtetojë shkelje substanciale që do të ndikonin në rezultatin përfundimtar. Për pasojë, gjykata e la në fuqi vendimin e PZAP-së, duke vlerësuar se provat e dorëzuara nuk justifikojnë rivotim.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka refuzuar edhe ankesën e kandidatit Labinot Halilaj nga subjekti PDKRLL në Gllogoc, i cili kishte kërkuar rinumërimin e votave për asamblist. Duke mbështetur vendimin e PZAP-së, Supremja vlerësoi se nuk janë cenuar të drejtat zgjedhore dhe nuk ka pasur trajtim diskriminues.
Ndërkaq, në rastin e tretë, Gjykata Supreme pranoi ankesën e Avni Gashit nga AAK, kandidat për asamblist në Komunën e Istogut. Gjykata vendosi që lënda t’i kthehet PZAP-së për rivendosje, pasi paneli nuk kishte vepruar në përputhje me udhëzimet paraprake të Supremes dhe me nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parashikon mundësinë e rinumërimit të fletëvotimeve dhe verifikimit të materialit votues.
Supremja theksoi se rinumërimi në vendvotimet e identifikuara është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit dhe integritetin e procesit zgjedhor. PZAP tani obligohet t’i rishqyrtojë provat dhe pretendimet, duke vepruar në përputhje me udhëzimet e gjykatës, me qëllim që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve.

