Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha, ka lëshuar një apel të fuqishëm politik dhe emocional për komunitetin egjiptian e ashkali, duke e cilësuar 28 dhjetorin – datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme – si momentin më të rëndësishëm për zërin dhe të ardhmen e tyre politike.
Në një reagim të ngarkuar me simbolikë dhe emocion, Berisha rikujtoi ditën kur presidentja Vjosa Osmani shpalli datën e zgjedhjeve, duke thënë se ai ishte “djali që u ul i vetëm në anën e majtë në sallën e Kuvendit”, duke nënkuptuar se qëndrimi i tij nuk ishte thjesht politik, por akt i rezistencës dhe i dinjitetit.
“Aty ku të tjerët heshtën, unë vendosa të qëndroj. Aty ku shumëkush u dorëzua, unë refuzova nënshtrimin. Nuk e lejova që populli im të mashtrohej. Nuk e lejova që zëri ynë të shuhej”, shkroi Berisha, duke theksuar se komunitetet që ai përfaqëson nuk duhet të trajtohen si “numra”, por si vlera të shtetit.
Sipas tij, momenti politik që po afrohet është test i pjekurisë dhe i unitetit, prandaj ai bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim gjithëpërfshirës.
“Mos më lini më të vetëm! Sot kërkoj prej jush mobilizim kombëtar. Më jepni fuqinë për të dytin deputet – dhe ju betohem se ky vend do të detyrohet të na respektojë, edhe atëherë kur nuk ka vullnetin”, theksoi Berisha.
Ai nënvizoi se komunitetet egjiptiane dhe ashkalie kanë treguar gjithmonë guxim, por tani u duhet edhe besimi i qytetarëve të tyre, besim që mund t’i japë forcë vendimtare në skenën politike.
“28 dhjetor 2025 – dita më e rëndësishme për Egjiptianët dhe Ashkalitë e Kosovës! Bëhu pjesë e rrugës sonë historike!”, përfundon thirrja e tij.

