Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mosanëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Në një intervistë për emisionin “Context”, Hasani e ka cilësuar këtë veprim si “krimin më të madh” që pushteti aktual i ka bërë vendit.
Ai tha se anëtarësimi në KiE do t’i kishte ndihmuar edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët qëndrojnë në paraburgim prej pesë vitesh. Sipas tij, Gjykata e Strasburgut do të kishte pasur mundësinë të ndalte shkeljet e të drejtave të tyre nga Gjykata Speciale.
“Aty janë krijuar disa institute, disa kategori, që po të ishim ne në Këshill të Evropës, do të mund të adresoheshin. Është krimi më i madh që i është bërë Kosovës prej pushtetit të deridjeshëm. Pra, mosanëtarësimi. Sepse ai me automatizëm iu kishte dhënë të drejtë të akuzuarve, sepse zvarritja e procedurave dhe çështje të tjera kanë mundur të sfidohen”, tha Hasani.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare mbetet i hapur dhe me ndikim të madh në politikat e drejtësisë dhe të sigurisë në vend.

