Misioni i KFOR-it ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar në Facebook se komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas, ka pritur në selinë e KFOR-it në kampin Film City në Prishtinë, komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, Gjeneral Metin Tokel.
Gjatë takimit, Gjeneralmajor Ulutas e informoi Gjeneralin Tokel rreth situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarëve turq brenda misionit. Ai theksoi mbështetjen e qëndrueshme që Turqia i jep KFOR-it ndër vite, duke e konsideruar këtë si një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në rajon.
Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR thekson se bashkëpunimi i ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mbetet thelbësor për menaxhimin efektiv të situatave të sigurisë, secili brenda përgjegjësive të veta si reagues të rendit dhe sigurisë.
Ky takim vlerësohet si një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Turqisë në funksion të stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.

