Kampionja olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi, ka ndarë me publikun një prej kapitujve më të vështirë të karrierës së saj, gjatë Konferencës së Pestë Shkencore Ndërkombëtare në Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet.
Trajnerja e gjeneratës së re të xhudos ka treguar për betejën e heshtur me lëndimet e rënda, dhimbjen e përditshme dhe sfidat psikologjike, që pothuajse e vunë në rrezik jo vetëm performancën, por edhe karrierën e saj.
Kelmendi rrëfeu se hernia diskale dhe lëndime të tjera serioze e detyruan të përshtaste stërvitjet dhe taktikat në garat e xhudos, duke shënuar një sfidë të madhe për sportisten.
“Në katër vitet e fundit gjatë karrierës jam zgjuar prej gjumit me dhimbje, gjatë ditës kam pasur dhimbje dhe kur kam rënë për të fjetur kam pasur dhimbje. Kam pasur një lëndim shumë serioz në qafë, herni diskale që gati ishte në limitet për ta prekur boshtin kurrizor. Dora ime e majtë, arma ime e fortë në luftë, nuk ka funksionuar si më parë. Kështu që u desh të adaptohesha fizikisht dhe të ndryshoja taktikat e luftës,” tregoi Kelmendi.
Ajo ka zbuluar gjithashtu episodet e panikut që përjetoi një vit e gjysmë para Lojërave Olimpike në Tokio.
“Fillova të kem atack paniku, nuk e dija çfarë është. Një natë në gara në Katar, u zgjova, nuk mund të ngopesha me frymë, kisha djersitje, dridhje dhe frikë. E kuptova pas përfundimit të Lojërave Olimpike se ky ishte problem që duhej trajtuar.”
Megjithatë, sfidat nuk e ndalën Kelmendin, e cila në karrierën e saj ka arritur medaljen e artë olimpike në Rio 2016, dy herë është shpallur kampione bote në xhudo (2013 dhe 2014), ka fituar tituj evropianë dhe shumë gara ndërkombëtare.
Rrëfimi i saj është një mesazh i fuqishëm për të gjithë sportistët dhe publikun: edhe në momente të thyerjes fizike dhe emocionale, vendosmëria dhe përkushtimi ndaj sportit mund të triumfojnë.
Kelmendi sot udhëheq gjeneratën e re si trajnere, duke ndarë përvojën dhe forcën e saj për të inspiruar sportistët e rinj

