Qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Ballukun.
Vendimi i qeverisë u lajmërua të premten nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi cenim të ekzekutivit vendimin e Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“S’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe gjykatës të pezullojnë nga detyra një anëtare qeverie, por, nëse një prokuror special dhe gjykatës i shkallës së parë speciale kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i funksionimit të pushtetit tjetër të pavarur duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe Parlamentit, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë. Për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit”, tha Rama.
Gjykata e Posaçme caktoi të enjten dy masa sigurie për zëvendëskryeministren Belinda Balluku: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK më datë 31 tetor komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim

