30 ditë paraburgim për shoferin e autobusit të dyshuar për trafikim të 120 kg marihuanë

by engel

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj shoferit të autobusit B.M., i arrestuar të premten në zonën e Prishtinës, nën dyshimin se po transportonte një sasi të madhe të substancave narkotike nga Shqipëria në drejtim të Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të dyshuarit rëndojnë veprat penale të “Blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve” dhe “Mbajtjes së paautorizuar të armëve”. Organet hetimore dyshojnë se më 21 nëntor 2025, B.M. ishte nisur me autobus drejt disa destinacioneve evropiane, duke bartur rreth 120 kilogramë marihuanë të fshehur në bunkerë të modifikuar nën ulëset e automjetit.

banner

Policia ka ndaluar autobusin gjatë një kontrolli rutinë, ku pas verifikimit të detajuar janë zbuluar qeset me substancën e dyshuar narkotike. Prokuroria ka theksuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme që ngrejnë dyshime të bazuara për përfshirjen e të pandehurit në trafikim ndërkufitar të drogës.

Pas seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme për këtë fazë të hetimeve, duke arsyetuar se lënia e të dyshuarit në liri mund të ndikonte në pengimin e procesit hetimor, përfshirë komunikimin e mundshëm me persona të tjerë të involvuar.

Gjykata ka shtuar se ekziston rreziku që, nëse lirohet, i dyshuari mund të vazhdojë me aktivitete të tjera të kundërligjshme, duke pasur parasysh përfitimet që sjellin veprimtaritë e këtilla kriminale.

Në vijim pritet që Prokuroria të zgjerojë hetimet për të identifikuar bashkëkryerës të tjerë dhe rrjetin e mundshëm të shpërndarjes.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy