Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar në një intervistë për Blic Interview se letrat e dërguara nga Lëvizja Vetëvendosje në adresë të LDK-së nuk kanë qenë oferta të sinqerta politike, por, sipas tij, janë hartuar që në fillim për t’u refuzuar.
Sipas Gashit, është e pakuptimtë që një parti t’i propozojë bashkëqeverisje një subjekti tjetër ndërsa njëkohësisht i dikton se “kë ka dhe kë s’ka në parti”. Ai thotë se Vetëvendosje, në letrën e saj, insinuonte se LDK tashmë kishte ndryshuar sepse “figurat problematike” nuk gjendeshin më në parti – diçka që Gashi e cilëson si të papranueshme.
“Letrat i janë dërguar për t’u refuzuar. Nuk mund t’i thuash një partneri të pretenduar qeverisës se kush duhet të jetë në parti dhe kush jo. Ajo qasje e ka bërë të pamundur çdo bashkëpunim,” u shpreh ai.
Gashi thekson se VV ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të dobësuar figurat qendrore të LDK-së përmes fushatave negative dhe propagandës, dhe se në disa raste ka arritur t’i dëmtojë ato. Ai shton se kalimi masiv i votuesve të LDK-së drejt Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit ka qenë rezultat i krizave të shumta dhe mungesës së komunikimit të brendshëm.
Megjithatë, deputeti shprehet optimist se një pjesë e elektoratit tashmë është kthyer dhe se LDK po punon për të rikuperuar besimin e votuesve.
“Ne duhet të targetojmë votues të rinj dhe të rikthejmë besimin e të gjithë qytetarëve që dikur na kanë mbështetur. LDK do të jetë sërish një parti konkurruese në skenën politike,” përfundoi Gashi.

