Arian Zeka paralajmëron për ngadalësim ekonomik: Investimet kapitale të bllokuara dhe kriza politike po dëmtojnë imazhin dhe zhvillimin e Kosovës

by engel

Kosova po përballet me një situatë të ndërlikuar ekonomike dhe institucionale që rrezikon rrjedhën e zhvillimit të vendit. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ngritur alarmin për mungesën e investimeve kapitale dhe për ndikimin e krizës politike në ekonominë e vendit, duke paralajmëruar se rritja ekonomike e vitit 2025 mund të jetë dukshëm më e ulët se parashikimet fillestare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka theksoi se bizneset po përballen me vështirësi të mëdha si rezultat i mosrealizimit të projekteve kapitale.
“Ajo çfarë kemi parë gjatë këtij viti po filloj ndoshta prej mungesës së investimeve kapitale të cilat nuk janë realizuar në plotësi ashtu siç janë parapa me ligjin e buxhetit për vitin 2025, kjo është ankesa më e zakonshme nga kompanitë anëtare dhe biznese e tjera në Kosovë. Investimet kapitale kanë rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të faktorit multiplikues në ekonomi që ato gjenerojnë dhe kjo ka bërë që një pjesë e madhe e bizneseve të ballafaqohen me vështirësi”, tha ai.

banner

Sipas Zekës, kriza politike dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja tashmë po reflektohen në ngadalësimin e rritjes ekonomike.
“Kur po flasim për ndikimin e kësaj krize politike gjithmonë të ndalemi te ajo që është e matshme, e matshme do të thotë është mos arritja e normës së parashikuar për rritjen ekonomike për vitin 2025, nuk besoj që do ta kemi atë që institucionet vendore e kanë parapa fillimisht në fund viti të kaluar ose në fillim të këtij viti. Po flasim për pa mundësinë e vendit që të merr fondet e BE-së ato të parapa me planin e rritjes por edhe instrumente e tjera financiare zhvillimore”, theksoi ai.

Zeka shprehu shqetësim edhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës, të cilin e sheh të cenuar nga lajmet për ngërçin politik dhe vonesat institucionale.
“Ajo çfarë po shoh në tituj e mediave e kjo është diçka që nuk matet domosdoshmërish, nuk mund të kuantifikohet është ndikimi negativ që situata e tillë ka në imazhin e vendit. Kosova edhe ashtu lëngon prej një imazhi jo të mirë… lajmet negative siç është puna me tituj që Kosova po thyen rekorde në mos konstituim të Kuvendit, Kosova po thyen rekorde në mos krijimin e qeverisë së re që pas zgjedhjeve të shkurtit, janë lajme që nuk i bëjnë nder imazhit tonë”, tha ai.

Sa i përket investitorëve të huaj, kreu i OEAK-ut paralajmëroi se trendi është shqetësues.
“Janë shumë të rralla rastet në të cilat një investitor i huaj vendos të prej një shirit… Është mëkat për shkak se Kosova ofron përparësi të mëdha konkurruese të njëjtat nuk po arrin të promovohen si duhet para investitorëve të huaj. Ne nuk po arrijmë që të konkretizojmë interesin e caktuar të investitorëve dhe të njëjti ta vëmë në zhvillim ekonomik”, u shpreh Zeka.

Ai hodhi poshtë edhe deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbi rritjen mesatare ekonomike të këtij viti.
“Deklaratat e tilla janë të pa precedent… Ne duhet të jemi realist në këtë aspekt, këtë vit presim që të kemi rritje më të vogël se sa 4 për qind, do të befasohesh nëse statistikat që do të publikohen në fillim të vitit 2026 për rritjen ekonomike të vitit 2025 do të ishin të tjera”, tha Zeka.

Në fund, ai bëri thirrje për formim sa më të shpejtë të një qeverie të re që do t’i kushtonte rëndësi të veçantë marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në.
“Kosova është njëri prej shteteve e cila ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnere më të rëndësishme strategjikisht… Uroj që shpejt pas zgjedhjeve të reja të kemi një qeveri të re, e cila i kushton rëndësi më të madhe raporteve me SHBA me BE… qasja aktuale… nuk guxon dhe nuk mund të vazhdojë”, tha ai.

Mes paralajmërimeve për ngadalësim ekonomik, rënie të interesimit të investitorëve dhe krizë imazhi, mesazhi i Zekës është i qartë: Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik dhe institucional për të mos humbur terrenin e fituar gjatë viteve të fundit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy